Ish-ministri gjerman e politikani veteran Wolfgang Schäuble, ka thënë se gjermanët duhet të ndalojnë së ankuari dhe të përgatiten me pulovra dhe qirinj këtë dimër në rast të ndërprerjeve të energjisë elektrike në mes të krizës energjetike.
Në një intervistë të martën për Bild-TV, ish-ministri i Financave tha se gjermanët duhet ‘të veshin një pullover të trashë, ose dy pulovra sipër njëra-tjetrës’ në rast të një dimri të ftohtë.
“Nuk duhet të ankoheni për këtë, duhet të pranoni se shumë gjëra nuk mund të merren si të mirëqena.” – tha ai për kanalin e lajmeve.
Udhëheqësit evropianë kanë ngritur shqetësime për mundësinë e ndërprerjeve të energjisë elektrike këtë dimër për shkak të shtrëngimit të furnizimeve me energji.
“Kjo është arsyeja pse duhet të keni gjithmonë disa qirinj, shkrepëse dhe një elektrik dore në shtëpi.” –tha Schäuble për Bild-TV.
80-vjeçari gjithashtu paralajmëroi gjermanët që të mos supozojnë se qeveria mund të zgjidhë probleme financiare si rritja e inflacionit dhe kostot e energjisë.
“Nëse u sugjerojmë njerëzve se gjithçka është e pakufizuar, ne jemi duke e mbishfrytëzuar. Atëherë njerëzit kanë përshtypjen se shteti mund të bëjë gjithçka, kjo nuk është e qëndrueshme.” – tha Schäuble për Bild-TV.
Rusia vazhdon të frenojë furnizimet me gaz natyror në Evropë pasi Perëndimi vendosi sanksione ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës. Si rezultat i mungesave, çmimet e energjisë janë rritur shumë, duke i lënë disa njerëz në vështirësi për të përballuar ushqimin dhe artikujt e tjerë bazë.
Shitësit me pakicë, bankat dhe bizneset evropiane kanë zbatuar tashmë masa të kursimit të energjisë, të tilla si fikja e reklamave me ndriçim për 18 orë, mbajtja e dyerve të mbyllura dhe fikja e shatërvanëve, përpara mungesave të mundshme.