Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Gjysma e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, do jenë të rinj


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka treguar se çfarë do të ndodhë me strukturat rinore të kësaj partie, tashmë që emri i partisë ka ndryshuar.

Meta tha se LRI është një nga gjërat më të bukura që ka pasur vendi në 30 vitet e fundit dhe se në zgjedhjet lokale gjysma e kandidatëve për Këshillin bashkiak të Tiranës do të jenë të rinj.

Ai gjithashtu paralajmëroi se do i jepet “goditja në themel” sistemit të ngritur nga kryeministri Edi Rama.

“Kemi pasur një debat që kur të kemi PL si do bëhet me Lëvizjen Rinore. LRI është një nga gjërat më të bukura e pozitive që Shqipëria ka pasur në 30 vite i ka dhënë frymëzim të rinjve e duhet të vazhdojë jo për shkak të trashëgimisë pozitive të së kaluarës, por edhe për potencialin e jashtëzakonshëm për t’u rikthyer shumë herë si zëri i fuqishëm i të rinjve e të rejave. Për këtë kërkohet mbështetje nga ne. Kam qenë e do mbetem mbështetësi më i madh i të rinjve.
Para kemi një betejë të rëndësishme siç janë zgjedhjet. Tirana është sheshbeteja, sepse nëse nuk vjen ndryshimi nga Tirana nga do të vijë. Nëse rrudhja nga të rinjtë ndjehet edhe në Tiranë, imagjinoni si është në qytetet e tjera ku nuk ka fare të rinj. Ka qytete në Shqipëri që ka më shumë mësues se sa nxënës. Të rinjtë do kenë zërin e rëndësishëm në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, gjysma e kandidatëve do jenë të tillë që të drejtat e tyre të mos nëpërkëmben më.”– tha kryetari i PL-së.

Meta shtoi: “Do i japim goditjen në themel këtij sistemi, që e ka bërë Rama dhe ministri i Brendshëm që thotë ‘nuk ka zhvillim pa krim’. Krimi është një kancer për zhvillimin e një vendi.”