Miliarderi Elon Musk është subjekt i një hetimi federal mbi marrëveshjen e tij të dështuar me Twitter prej 44 miliardë dollarësh, ka thënë kompania, në dokumentet gjyqësore të parë nga mediat amerikane.
Avokatët e gjigantit të mediave sociale kanë kërkuar ndihmë në marrjen e ‘dokumenteve në lidhje me hetimet’, në një letër drejtuar gjyqtares së Gjykatës së Delaëare, Kathaleen McCormick.
Sipas Bloomberg, që nga korriku, zyrtarët e kompanisë janë përpjekur të marrin dosje mbi ‘të gjitha komunikimet me çdo autoritet qeveritar në lidhje me ofertën’. Avokatët e Musk kufizuan dorëzimin e dokumenteve, duke iu referuar rregullave të konfidencialitetit.
“Elon Musk është nën hetim nga autoritetet federale për sjelljen e tij në lidhje me blerjen e Twitter.” –shpjeguan avokatët nga Potter Anderson Corroon LLP, që përfaqëson gjigantin e mediave sociale, në një dosje të 6 tetorit.
Letra nuk zbulon se cila agjenci po kryen hetimin, cila është thelbi i hetimit apo nëse është një hetim civil apo penal.
Avokati i Musk, Alex Spiro, nga ana e tij, e përshkroi dosjen si një ‘rast të gabuar’ dhe pretendoi se Tëitter po përpiqet të shkëpusë vëmendjen nga problemet e veta ligjore.
“Drejtuesit e Twitter janë nën hetim federal. Çështja ndaj Musk prej Twitter u bë për të hequr vëmendjen lidhur me problemet e tyre.” – tha Spiro për CNN.
Zyrtarët e Twitter nuk pranuan të komentojnë deklaratën e Spiros. Në fillim të këtij muaji, Musk ringjalli ofertën e tij për të blerë Twitter, muaj pasi bisedimet e mëparshme u përkeqësuan, duke e shtyrë kompaninë të padisë në një përpjekje për të detyruar Musk të zbatojë blerjen.
Ndërsa Twitter më vonë u përgjigj se ende shpresonte të përfundonte transaksionin sipas kushteve të tij origjinale, kompania nuk tha nëse do të hiqte dorë nga padia kundër Musk, e cila filloi në korrik.