Posta Mbretërore e Britanisë njoftoi të premten se mund të shkurtojë deri në 6,000 vende pune deri në fund të gushtit 2023, ndërsa vazhdon përplasjet me sindikatat.
Në një deklaratë, grupi mëmë i ‘Royal Mail International Distribution Services’ njoftoi se pret një humbje prej 350 milionë stërlinash (395 milionë dollarë) këtë vit, për shkak të një numri faktorësh që përfshijnë një seri grevash që po ndodhin e pritet të ndodhin.
Sindikata e Punëtorëve të Komunikimit (CWU) përfaqëson rreth 115,000 punonjës të Postës Mbretërore. Ata kanë zhvilluar greva mbi pagat dhe kushtet e punës në shtator dhe tetor, me të tjera të planifikuara më vonë këtë muaj dhe në nëntor.
Shefi ekzekutiv i ‘Royal Mail’ (Posta Mbretërore) Simon Thompson tha: “Kjo është një ditë shumë e trishtuar. Më vjen keq që po shpallim këto humbje të vendeve të punës.”
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të shmangur shkurtimet e detyrueshme dhe për të mbështetur të gjithë të prekurit. Ne kemi njoftuar sot humbje prej 219 milionë stërlinash në gjysmën e parë të vitit. Çdo ditë greve dobëson gjendjen tonë financiare. Vendimi i CWU-së për të zgjedhur veprimet e dëmshme të grevës mbi zgjidhjen, fatkeqësisht rrit rrezikun e largimeve të mëtejshme të punonjësve.” – shtoi ai.