Prezantuesi i diskutueshëm i radios Alex Jones është urdhëruar nga një juri e Konektikatit të paguajë 965 milionë dollarë dëmshpërblim për familjet e viktimave të të shtënave në shkollën fillore ‘Sandy Hook’, për sugjerimin se masakra e dhjetorit 2012 ishte inskenuar.
Juria prej gjashtë anëtarësh e Gjykatës së Lartë të Konektikatit shpalli vendimin e saj të mërkurën pas tre ditësh diskutime. Pagesat u urdhëruan për familjet e tetë fëmijëve që u vranë nga të shtënat, si dhe për një punonjës të urgjencës që pretendoi se ndaj tij ishte shpifur.
Dëmshpërblimi më i madh ishte për një nga prindërit, Robbie Parker, të cilit Jones u urdhërua t’i paguante 60 milionë dollarë për shpifje dhe 60 milionë dollarë për shqetësim emocional.
Jones, themeluesi i Infowars, akuzoi Parkerin se ishte një aktor i krizës, pasi ai u shfaq në video duke buzëqeshur shkurtimisht në një konferencë shtypi përpara se të fliste për vdekjen e vajzës së tij 6-vjeçare.
Ai dhe anëtarët e tjerë të familjes së fëmijëve të vdekur dëshmuan se ata ishin ngacmuar dhe kërcënuar nga dëgjuesit e Infowars për shkak të pretendimeve që Jones bëri. Për shembull, Mark dhe Jackie Barden thanë se njerëzit urinuan mbi varrin e djalit të tyre dhe kërcënuan se do e gërmonin atë për të provuar se ai nuk ishte vrarë.
Të shtënat lanë të vdekur 20 fëmijë dhe gjashtë mësues. Çështja e Connecticut është një nga katër paditë për shpifje që u ngritën kundër Jones nga familjet e shkollës ‘Sandy Hook’. Në gusht, një juri në Teksas e urdhëroi atë të paguante 49 milionë dollarë dëmshpërblim për prindërit e një tjetër prej viktimave të të shtënave.
Jones, i cili nuk mori pjesë në seancë gjatë shpalljes së vendimit të së mërkurës, dëshmoi muajin e kaluar se ai ‘mendonte në mënyrë legjitime’ se të shtënat mund të ishin inskenuar, por më vonë kishte arritur në përfundimin se ngjarja ishte e vërtetë.
Ndërsa një avokat i paditësve e qortoi atë që nuk tregoi respekt për familjet e viktimave, ai tha: “A është kjo një seancë lufte? Jemi në Kinë? Unë e kam thënë tashmë që më vjen keq qindra herë dhe kam mbaruar së thëni se më vjen keq.”
Jones tha në emisionin e tij në radio të mërkurën se ai do të apelojë vendimin dhe se depozitimi i falimentimit të kompanisë së tij do mbrojë Infowars, ndërsa çështja është ende në pritje. Ai i ka cilësuar paditë ndaj tij si sulm ndaj të drejtës kushtetuese për lirinë e fjalës.