Vendosni fjalën kyçe....

Putin thotë se për momentin s’do ketë më sulme masive në Ukrainë


Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se nuk ka nevojë më për sulme masive në Ukrainë, disa ditë pas bombardimeve më të rënda të vendit që nga fillimi i luftës.

Ai tha se shumica e objektivave të përcaktuara të sulmeve ishin goditur, duke shtuar se qëllimi i tij nuk ishte të shkatërronte Ukrainën.

Duke folur me gazetarët pas një samiti me krerët rajonalë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, udhëheqësi rus tha se sulmet e fundit kishin shkatërruar 22 nga 29 objektivat në Ukrainë të vendosura nga ushtria dhe se “ata po marrin” edhe shtatë të mbeturit.

“Nuk ka nevojë për sulme masive. Tani kemi detyra të tjera.”- tha ai sipas BBC-së.

Nga e hëna Rusia nisi një valë sulmesh në qytete në të gjithë Ukrainën, në atë që Putin tha se ishte hakmarrje për një shpërthim që dëmtoi një urë kyçe midis Rusisë dhe Krimesë së aneksuar.

Dhjetëra njerëz u vranë dhe u plagosën nga sulmet, të cilat dëmtuan edhe infrastrukturën. Zonat qendrore të Kievit u vunë në shënjestër për herë të parë që nga pushtimi.

Por Putin tha se nuk ishte qëllimi i Rusisë të shkatërronte Ukrainën, por ai nuk i vinte keq për pushtimin.

“Ajo që po ndodh sot nuk është e këndshme, për t’i thënë butë gjërat.”– tha ai. “Por megjithatë, (nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar) do të kishim qenë në të njëjtën situatë, vetëm kushtet do të ishin më keq për ne. Kështu që ne po bëjmë gjithçka në mënyrë korrekte dhe në kohën e duhur.”

Presidenti Putin tha se 220 mijë burra ishin mobilizuar deri tani, nga të cilët 16 mijëë ishin tashmë në luftime. Ai nuk sheh nevojë për mobilizim shtesë.

Megjithatë, thirrja e presidentit për të mobilizuar 300 mijë burra ka shkaktuar pakënaqësi të gjerë në Rusi, me dhjetëra mijëra burra që u larguan në vendet fqinje.