Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Location 2”.
Sipas uniformave blu, të dy personat në kërkim u kapën në zonën e “Komunës së Parisit” në kryeqytet, pasi kishin thyer masën e “arrestit në shtëpi”.
Njëri është 62 vjeçari Mehmet Lamko, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim. Tjetri është Elsi Balla, 26 vjeç, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 10 muaj burgim.
NJOFTIMI I POLICISË
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore për vendndodhjen e dy personave të shpallur në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tyre dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Location 2”.
Si rezultat i këtij operacioni, në zonën e quajtur ”Komunën e Parisit”, u bë kapja e shtetasve:
– Mehmet Lamko, 62 vjeç, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 2 vjet burgim, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
– Elsi Balla, 26 vjeç, banues në Tiranë, të cilin Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 10 muaj burgim, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.