Vendosni fjalën kyçe....

Topi i golit polemizues të Maradonës pritet të kapë miliona dollarë në ankand (Video)


Topi i përdorur në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986 midis Argjentinës dhe Anglisë, gjatë së cilës Diego Maradona shënoi dy nga golat më ikonë që sporti ka parë ndonjëherë, pritet të arrijë deri në 3.3 milionë dollarë kur të dalë në ankand në Londër muajin e ardhshëm.

Topi është tani për tani në pronësi të 78-vjeçarit Ali Bin Nasser – gjyqtari tunizian që drejtoi ndeshjen në ‘Estadio Azteca’ në Mexico City.

Maradona shënoi dy herë në hapësirën e pesë minutave në pjesën e dytë, me të dy golat që u bënë shpejt pjesë e folklorit të futbollit.

Për të parin, lojtari përdori në mënyrë famëkeqe dorën e majtë për të goditur topin përtej portierit të Anglisë Peter Shilton dhe në rrjetë, në një shkelje të hapur të rregullave që nuk u kap dot nga gjyqtari Bin Nasser.

Maradona më vonë e përshkroi golin si të shënuar ‘pak me dorën e Zotit’ – duke i dhënë momentit emrin e tij të famshëm.

Katër minuta më vonë, Maradona krijoi një tjetër aksion ikonë që do quhej ‘Goli i Shekullit’ teksa dribloi disa lojtarë anglezë para se të shënonte golin e dytë. Argjentina e fitoi ndeshjen 2-1 përpara se të shkonte deri në fund duke fituarv Kupën e Botës me Maradonën si kapiten.

“Ky top është pjesë e historisë ndërkombëtare të futbollit, ndihet si koha e duhur për ta ndarë atë me botën.” – tha Bin Nasser për shitjen.

Topi do jetë në ofertë më 16 nëntor në një shitje të menaxhuar nga kompania me bazë në Londër ‘Graham Budd Auctions’ dhe është vlerësuar midis 2.7 dhe 3.3 milionë dollarë.

Maradona u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare në nëntor 2020 pasi pësoi një atak në zemër.