Elon Musk ka thënë se kompania e tij “SpaceX” nuk mund të vazhdojë pafundësisht të paguajë për shërbimin e internetit Starlink të Ukrainës pas grindjes së tij të fundit me Kievin.
Në shkurt, njeriu më i pasur në botë aktivizoi sistemin e internetit satelitor të kompanisë së tij në Ukrainë për të mbajtur ushtrinë dhe njerëzit e saj në rrjet.
Por sipas medieve amerikane, muajin e kaluar Musk i kërkoi Pentagonit të financonte programin në vend të tij.
Kohët e fundit Musk i sugjeroi Kievit të lëshojë territor për Rusinë si një mënyrë për t’i dhënë fund luftës, konkretisht Krimenë, gjë që nuk u prit mirë në Kiev.
“SpaceX nuk po kërkon të rikuperojë shpenzimet e kaluara, por gjithashtu nuk mund të financojë sistemin ekzistues për një kohë të pacaktuar.”- shkroi Musk të premten në Twitter, duke iu referuar kompanisë së tij hapësinore që prodhon sistemin Starlink.
Starlink punon duke ofruar internet gjerë përmes një rrjeti satelitësh. Siç shkruana BBC, Starlink ka rezultuar jetike për ushtrinë e Ukrainës teksa lufton për të rimarrë tokën ukrainase nga Rusia.
Ukraina kërkoi nga Starlink këtë javë ndihmë për rinisjen e infrastrukturës së saj në zonat kryesore pas më shumë se 100 sulmeve raketore ruse.
Por programi kushton 20 milion dollarë në muaj për t’u mirëmbajtur, sipas Musk. Ai së fundmi tha se SpaceX kishte shpenzuar 80 milionë dollarë deri më tani për ta mbajtur Ukrainën në internet.
“Përveç terminaleve, ne duhet të krijojmë, lëshojmë, mirëmbajmë dhe rimbushim satelitët dhe stacionet tokësore.”– shkroi ai në Twitter.
“Ne gjithashtu na është dashur të mbrohemi kundër sulmeve kibernetike dhe bllokimit, të cilat po bëhen më të vështira”. Zëvendëskryeministri i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, minimizoi tensionet me Musk, duke shkruar në Tëitter se miliarderi “është ndër donatorët më të mëdhenj privatë në botë që mbështesin Ukrainën”.
“Starlink është një element thelbësor i infrastrukturës sonë kritike.”– shkroi ai. Një këshilltar presidencial ukrainas tha se Ukraina do të gjejë një zgjidhje për të mbajtur Starlink të funksionojë.
Në fillim të këtij muaji, Musk postoi në Twitter një propozim që Ukraina të pranojë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe të lejojë referendume në rajonet ukrainase të pushtuara nga Moska.