Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka publikuar videon nga qyteti i Vlorës i cili në një zonë është mbytur nga mbeturinat.
Ne video shihet një situatë e rëndë mjedisore në zonën e ish-fabrikës së Çimentos.
Ai thotë se Rama e Gjiknuri i premtuan prej më shumë se 1 viti pastrimin e kësaj zone por deri më tani nuk ka ndodhur asgjë.
“Vlora është përmbytur nga plehrat si kurrë më parë.
Situata skandaloze në zonën e ish-Fabrikës të Çimentos, rreth 1 km larg Lungomares dhe 4 km larg Bashkisë, është një dëshmi e përçmimit dhe e braktisjes së qytetarëve nga Qeveria dhe pushteti vendor i “Rilindjes”.
Më 5 prill 2021, Damian Gjiknuri në emër të Edi Ramës u premtoi familjeve të kësaj lagjeje pastrim nga mbeturinat, rrugë të asfaltuara, kanalizime dhe investime moderne në infrastrukturë. Premtimet sot janë harruar dhe situata nuk ka nevojë për komente.
Kapja 100% e bashkive dhe e këshillave bashkiakë nga Edi Rama, do të kishte me patjetër këto pasoja.
Rikthimi i pashmangshëm i opozitës në Bashkinë e Vlorës dhe në të gjitha bashkitë e Shqipërisë do të rikthejë llogaridhënien dhe pushtetin lokal në duart dhe në shërbim të qytetarëve”-shkruan Blushi.