Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka publikuar denoncimin e një qytetareje, e cila ankohet se detyrohet të shkojë për të tërhequr pensionin e fëmijëve në Farkë të Vogël, edhe pse ajo jeton afër Kopshtit Zoologjik.
Vasili thotë se qeveria në vend që t’i ndihmojë nënat, ua vështirëson atyre jetët.
“Qeveria ju plas shpirtin edhe nënave të vetme për të tërhequr pensionin e fëmijëve!
E paimagjinueshme, por e vërtetë!
Nënave të vetme në vend t’i ndihmojnë jua vështirsojnë jetën.
Një nënë e vetme me fëmijë, që jeton pranë kopshtit zoologjik në Tiranë, detyrohet të marrë pensionin e fëmijëve në Farkë të Vogël me kilometra të tëra larg, kur zyrë poste ka vetëm disa qindra metra afër banesës.”- shkruan Vasili.
Zonja i shkruan Vasilit se ka bërë kërkesë që ta tërheqë pensionin një një zyrë postare më të afërt, por kjo kërkesë është refuzuar.
”Zoti Vasili,
Jam një nënë e vetme me fëmijë dhe detyrohem të shkoj për të tërhequr pensionin e fëmijëve në Farkë të Vogël në zyrën postare atje, megjithëse jetoj afër kopshtit Zoologjik. Kam kërkuar ta tërheq pensionin në zyrën e postës që është shumë pranë banesës ose të ma hedhin në llogarinë ku unë marr pagën, Por nuk pranojnë kurrsesi duke më detyruar të bëj kilometra dhe të shpenzoj shumë lekë për Taksi vetëm për të tëhequr pensionin. Ngrijeni këtë problem se është një mundim dhe harxhim i madh për ne dhe hallet tona.
Ju lutem anonim.”-shkruan zonja.
Vasili nxjerr edhe një foto e cila tregon zyrën e Postës në Farkë të Vogël, që sipas tij
“punon edhe me orar të reduktuar“.