Silvio Berlusconi e ka përshkruar Giorgia Melonin, e cila është gati të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë, si “dominuese”.
Partia Vëllezërit e Italisë e Melonit, e cila ka rrënjë neofashiste, fitoi pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet e përgjithshme më 25 shtator, duke ndihmuar në sigurimin e shumicës më të madhe të çdo qeverie koalicioni në Itali që nga viti 1994.
Presidenti i vendit, Sergio Mattarella, pritet t’i japë Melonit mandatin e kryeministres këtë javë për të krijuar një qeveri me aleatët e saj, të cilët janë Forza Italia e Berlusconit dhe Liga e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit.
Por ndërsa dita e betimit afron, Meloni duket se nuk i ka marrëdhëniet të mira me ish-kryeministrin Berlusconi.
I ulur në senat, Berlusconi shkarraviti në një copë letër se Meloni ishte “patronizuese, shefe, arrogante dhe ofenduese”. Letër e cila u fotografua nga mediet.
Tensionet mes dyshes u përshkallëzuan pasi Meloni vuri veton ndaj kërkesave të Berlusconit mbi kabinetin, i cili përfshinte dhënien e ministrisë së drejtësisë një politikani të Forza Italia, me fjalë të tjera dikujt besnik ndaj Berlusconit, i cili mund të mbronte interesat e tij.
Shënimi me shkarravitje i Berlusconit përfundonte: “Nuk ka vullnet për të ndryshuar, ajo është një me të cilën nuk mund të shkosh mirë”. Meloni ia ktheu: “Mungon një mbiemër: nuk jam e shantazhueshme”.
Siç shkruan Ansa.it, Meloni dhe Berlusconi do të takohen sot për të nënshkruar një armëpushim.