Vendosni fjalën kyçe....

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tërhiqen nga “Eurovision” për shkak të kostove të larta


Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk do të konkurrojnë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm për të kursyer para në këtë kohë krize.

Vendet pjesëmarrëse duhet të paguajnë një tarifë për të marrë pjesë në konkurs, por shuma ndryshon në varësi të madhësisë së vendit. Megjithatë sipas BBC-së, nga organizatëorët disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë pasi Rusia u ndalua nga konkursi.

Rusia ka qenë një kontribues i madh financiar i Eurovision, por u përjashtua nga konkursi i këtij viti për shkak të luftës që nisi në Ukrainë.

“Përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe – ne u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm t’i drejtojmë burimet ekzistuese për financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara.”- shpjegoi vendimin transmetuesi publik i Malit të Zi, RTCG.

Kostoja totale për të gjithë transmetuesit e përfshirë për të hyrë në kompeticion zakonisht shkon deri në rreth 5 milion paund, por saktësisht se sa paguan secili pjesëmarrës nuk bëhet publike.

Thuhet se disa vende të tjera gjithashtu po konsiderojnë të tërhiqen si rezultat i kostos shtesë.

Midis 8 dhe 17 milion paund pritet të paguhen nga BBC për të organizuar eventin në emër të Ukrainës, në Liverpool në maj 2023.

Dy vendet që janë tërhequr, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, nuk arritën të kalonin fazën gjysmëfinale të konkursit të këtij viti që u mbajt në Torino, Itali.