Vendosni fjalën kyçe....

Pagat e mësuesve, cilat vende paguajnë më shumë dhe më pak në Europë?


Mësuesit shpesh nderohen si heronj që duhen respektuar, por, në shumë vende, nuk është se ka ndonjë nderim konkret për ta, pasi mësuesit janë të pakënaqur me pagat dhe kushtet e tyre të punës.

Në fillim të shtatorit, mijëra njerëz marshuan në Budapest duke bërë thirrje për paga më të larta. Edhe mësuesit në Mbretërinë e Bashkuar po planifikojnë gjithashtu mbajtjen e një greve për paga më të mira.

Por, sa paguhen mësuesit në Europë? Cilat vende i paguajnë ata më shumë dhe më pak? Dhe sa kanë ndryshuar pagat e mësuesve gjatë dekadës së fundit?

Ka dallime të konsiderueshme në pagat e mësuesve mes vendeve europiane.

Pagat zyrtare vjetore bruto për mësuesit që sapo fillojnë punë në shkollat ​​publike në arsimin e mesëm të ulët (ISCED 2) variojnë nga rreth 4,233 € në Shqipëri në 69,076 € në Luksemburg për vitet 2020-2021, sipas të dhënave për secilin vend, të përpiluara nga Komisioni Europian / EACEA / Eurydice.

Paga mesatare për mësuesit në vendet e Bashkimit Europian (BE) është 25,055 €.

Mësuesit në Francë dhe në Itali paguhen sa gjysma e pagave të mësuesve në Gjermani

Duke mos llogaritur Luksemburgun, paga fillestare vjetore ishte mbi 50,000 € në vetëm dy vende, konkretisht në Zvicër (66,972 €) dhe në Gjermani (54,129 €).

Paga vjetore në Francë dhe në Itali ishte sa gjysma e pagës së mësuesve në Gjermani.

Bullgaria kishte pagat më të ulëta vjetore të mësuesve ndër të gjitha vendet e BE-së, me 7,731 euro. Pagat e mësuesve janë gjithashtu nën shifrën 10,000 euro edhe në disa vende të tjera të BE-së, si për shembull Letonia, Sllovakia, Hungaria, Rumania dhe Polonia.

Standardi i fuqisë blerëse (PPS) është “një njësi valutore artificiale” e përcaktuar nga Eurostat, ku me anë të një njësie PPS mund të blihet teorikisht e njëjta sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend. Llogaritja e pagave me anë të PPS eliminon disa nga ndryshimet në koston e jetesës midis vendeve të Europës, por, megjithatë, edhe me aplikimin e këtij standardi, vihen re pabarazi të mëdha.

Pagat e mësuesve, të para nga ky këndvështrim, varionin nga 7,824 PPS në Shqipëri, në 50,357 PPS në Gjermani. Megjithëse paga bruto vjetore e mësuesve që sapo fillojnë punë është përgjithësisht midis shifrave 20,000 dhe 30,000 PPS, ajo mbetet nën 20,000 PPS në 10 vende të BE-së: Estoni, Maltë, Çeki, Rumani, Greqi, Bullgari, Poloni, Hungari, Letoni dhe Sllovaki, respektivisht.

Vendet e Ballkanit si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat nuk janë pjesë e BE-së, kanë paga më të larta për mësuesit krahasuar me disa vende të BE-së, sipas matësit PPS. Çuditërisht, Turqia renditet dukshëm më mirë sipas indakitorit të PPS (28,455) sesa sipas pagës nominale (8,330 €). Ajo u rendit e 28-ta nga 36 vende sipas shifrave nominale, por zuri vendin e 11-të sipas PPS.

Si janë pagat e mësuesve në Europë krahasuar me pagën minimale?

Raporti i pagave të mësuesve ndaj pagës minimale tregon se sa fitojnë mësuesit në krahasim me pagën minimale në çdo vend. Ky raport llogaritet duke pjesëtuar pagën bruto të mësuesve me pagën minimale bruto.

Ky raport është më i lartë në Gjermani, me një shifër prej 2.8, ndërsa Polonia ka raportin më të ulët prej 1.1.

Me fjalë të tjera, paga fillestare e mësuesve në Poloni është shumë pranë nivelit të pagës minimale, ndërsa mësuesit që fillojnë punë në shkollat ​​shtetërore gjermane fitojnë sa gati trefishi i pagës minimale.

Raporti mesatar në 21 vendet e BE-së është 1.86, ndërsa shifra mbetet në nivelin 1.4 vetëm në Francë dhe në Greqi.

Në shumicën e vendeve europiane, mësuesit që fillojnë të punojnë në shkollat ​​shtetërore fitojnë, mesatarisht, shumë më pak sesa produkti i brendshëm bruto kombëtar (PBB) për frymë.

Paga vjetore bruto e tyre ishte më e lartë se PBB-ja për frymë në vetëm shtatë nga 36 të tilla. Raporti më i lartë i pagës ndaj PBB-së për frymë vihet re në Maqedoninë e Veriut, me një shifër prej 1.28, ndërsa më i ulëti ishte në Irlandë me një shifër prej 0.45.

Megjithëse Gjermania është një nga vendet me PBB-në më të lartë për frymë në Europë, raporti për këtë vend është 1.26, që do të thotë se mësuesit e rinj fitojnë më shumë se mesatarja e PBB-së për frymë. Ky raport është vetëm 0.71 në Francë.

Si kanë ndryshuar pagat e mësuesve në dekadën e fundit?

Raporti i fundit i Eurydice ofron edhe shifra për periudhën e viteve 2009-2010. Në atë kohë, pagat fillestare bruto vjetore të mësuesve varionin nga 2,743 € në Rumani, në 63,895 € në Luksemburg.

Mesatarja e 26 vendeve të BE-së ishte 19,563 € në vitet 2009-2010. Megjithatë, ajo ishte nën nivelin e 5,000 eurove në gjashtë vende të BE-së, përkatësisht në Sllovaki (4,824 €), Poloni (4,462 €), Lituani (4,275 €), Letoni (4,166 €), Bullgari (2,761 €) dhe Rumani (2,743 €).

Në vendet e tjera të BE-së, pagat përgjithësisht varionin nga 18,000 € në 30,000 €, ndërsa në Gjermani dhe Danimarkë, pagat fillesatre të mësuesve ishin mbi 35,000 €.

Ndryshimi në pagat fillestare bruto vjetore të mësuesve midis viteve 2009-2010 dhe 2020-2021 ishte më i lartë në Lituani, ku pagat janë rritur me 269 për qind në këto 11 vite. Vendet e anëtarësuara në BE së fundmi, Rumania dhe Bullgaria, kanë pasur gjithashtu rritje të konsiderueshme të pagave të mësuesve gjatë dekadës së fundit, përkatësisht me 193 dhe 180 për qind.

Paga fillestare e mësuesve u rrit gjithashtu me 42 për qind në Gjermani, vend i cili kishte nivelin e dytë më të lartë të pagave në Europë për periudhën 2009-2010. Ndryshimi ishte më i vogël se 10 për qind në vetëm gjashtë vende të BE-së: Qipro, Portugali, Spanjë, Itali, Slloveni dhe Luksemburg.

Turqia është i vetmi vend i kësaj liste ku pagat fillestare të mësuesve janë ulur gjatë kësaj dekade, duke rënë me 876 €, ose me 10 për qind. Kjo me shumë mundësi ka ndodhur për shkak të rënies së vlerës të lirës turke në vitet e fundit.

Në vlera nominale, Islanda ka pasur një rritje të pagave fillestare vjetore bruto të mësuesve prej 25,720 € në periudhën midis viteve 2009-2010 dhe 2020-2021. Kjo është rritja më e lartë ndër të gjitha vendet e përfshira në këtë studim, e ndjekur më pas nga Gjermania (me 15,915 €) dhe Suedia (me 15,135 €).

Pagat fillestare janë rritur gjithashtu me më shumë se 10,000 euro në Austri, Lituani dhe Danimarkë.

 

A janë të kënaqur mësuesit me pagat e tyre?

E thënë shkurt, përgjigjja është jo.

Sipas Sondazhit Ndërkombëtar të Mësimdhënies dhe Mësimit (TALIS) në vitin 2018, mesatarisht vetëm 26 për qind e mësuesve në vendet e OECD dhe në ekonomitë që marrin pjesë në në TALIS, mendojnë se puna e tyre vlerësohet nga shoqëria dhe vetëm 39 për qind ishin të kënaqur me pagën e tyre.

Sa kanë shpenzuar vendet për arsimin?

Në vitin 2020, shpenzimet e përbashkëta të qeverive të BE për arsimin arritën në 671 miliardë euro, ose 5 për qind të PBB-së.

Vendet e BE-së që shpenzojnë pjesën më të lartë të PBB-së për arsimin janë Suedia (7 për qind), Belgjika dhe Estonia (6.6 për qind), të ndjekura më pas nga Danimarka (6.4 për qind).

Nga vendet jashtë bllokut të BE-së, Islanda shpenzon 7.7 për qind të PBB-së së saj për arsimin. Nivelet më të ulëta të shpenzimeve për arsimin si përqindje e PBB-së janë në Irlandë (3.1 për qind), Rumani (3.7 për qind) dhe Bullgari (4 për qind).

Për sa nxënës kujdeset një mësues?

Në BE, numri mesatar i nxënësve për një mësues në nivelin fillor ishte 13.6 në vitin 2020, por, edhe në këtë indikator, vihen re ndryshime të konsiderueshme nga njëri vend te tjetri.

Raportet më të ulëta – të cilat mund të quheshin ideale – janë në Greqi (8.4), Luksemburg (8.9) dhe Hungari (10), ndërsa Mbretëria e Bashkuar (19.9), Rumania (19.2) dhe Franca (18.4) kanë mesataren më të lartë të numrit të nxënësve për mësues.

Një mungesë shqetësuese e mësuesve

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, vihet re se ka një mungesë shqetësuese të mësuesve në vendet europiane.

Më shumë se 30,000 vende pune për mësues mbeten vakante në Gjermani në fillim të këtij viti akademik.

Nga ana tjetër, ka një mungesë prej 20,000 mësuesish në Poloni dhe 16,000 mësuesish në Hungari. Ministria Franceze e Arsimit deklaroi se 4,000 nga rreth 27,300 vende të reja pune për mësues vazhdojnë të mbeten vakante.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Euronews/ Përshtati në shqip Monitor.al