Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti kinez zotohet të marrë kontrollin e Tajvanit


Presidenti i Kinës Xi Jinping hapi të dielën Kongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste Kineze në Pekin duke u zotuar të marrë kontrollin e Tajvanit duke mbrojtur politikën ‘një vend, dy sisteme’, sipas mediave shtetërore.

Në një fjalim para afro 2,300 anëtarëve të partisë në Sallën e Madhe të Popullit të Pekinit, presidenti kinez tha: “Zgjidhja e çështjes së Tajvanit është një çështje e kinezëve, një çështje që duhet të zgjidhet nga kinezët.”

“Ne do vazhdojmë të përpiqemi për ribashkim paqësor me sinqeritetin më të madh dhe përpjekjet maksimale, por nuk do të premtojmë kurrë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe rezervojmë mundësinë e marrjes së të gjitha masave të nevojshme. Kjo ka për qëllim vetëm ndërhyrjen e forcave të jashtme dhe të pakët separatistëve që kërkojnë ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe aktivitetet e tyre separatist. Ajo nuk ka të bëjë aspak me bashkatdhetarët tajvanezë.” – citoi media shtetërore të thoshte presidenti.

“Ne kemi treguar gjithmonë respekt dhe kujdes për bashkatdhetarët tanë nga Tajvani dhe kemi punuar për të sjellë përfitime për ta. Ne do vazhdojmë të nxisim shkëmbimet ekonomike dhe kulturore dhe bashkëpunimin përtej ngushticës.” – tha Xi.

“Politika ‘një vend, dy sisteme’ është një risi e madhe e socializmit me karakteristika kineze. Është dëshmuar se është marrëveshja më e mirë institucionale për sigurimin e prosperitetit dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Hong Kong dhe Makao pas kthimit të tyre në atdhe.”

“Kjo politikë duhet të respektohet në një afat të gjatë.” – tha presidenti.

Samiti mbahet çdo pesë vjet ku delegatët e partisë vendosin politikat e ardhshme dhe mbështesin rolet e reja drejtuese.

Xi Jinping renditi gjithashtu parimet kryesore për të ndërtuar një ‘Kinë moderne socialiste’ në të gjitha aspektet.

“Në rrugëtimin që kemi përpara, ne duhet t’u përmbahemi me vendosmëri parimeve kryesore të mbështetjes dhe forcimit të udhëheqjes së përgjithshme të Partisë, duke ndjekur rrugën e socializmit me karakteristika kineze, duke zbatuar një filozofi të zhvillimit me në qendër njerëzit, duke qëndruar të përkushtuar ndaj thellimit të reformës dhe hapjes e çuarje përpara të shpirtit tonë luftarak.” – tha Xi.

“E ardhmja jonë është e ndritur, por kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë.” – tha ai.

Samiti mbahet teksa SHBA-ja e sheh Kinën si rivalen e saj kryesore dhe po shqyrton hapat për të likuiduar varësinë nga zinxhirët e furnizimit kinez. Të dy kombet mbajnë respektivisht dy ekonomitë më të mira në botë dhe kanë ushtri të forta.

Ai gjithashtu vjen pas tensioneve të përtëritura në ngushticën e Tajvanit. Kina e konsideron Tajvanin ‘provincën e saj të shkëputur’, por Taipei këmbëngul për pavarësi që nga viti 1949, duke mbajtur marrëdhënie të pavarura diplomatike me 14 vende.