Vendosni fjalën kyçe....

Rama sulmon opozitën: E zhytur në buxhetin e rublave, veprimtaria e saj mban erë


Kryeministri Rama ka sulmuar opozitën duke thënë se ajo premton vetëm izolimin e Shqipërisë dhe është e zhytur në ‘buxhetin’ e rublave.

Ai e bëri deklaratën pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PS-së duke theksuar se vendi është përballur me disa pasoja radhazi teksa përmendi tërmetin e 2019-ës, pandeminë e tani edhe luftën në Ukrainë.

“Në këtë epokë kërcënimi të madh, kur Shqipëria nuk bën përjashtim nga kërcënimi, kur na duhet të përballemi me pasojat që është e re dhe vjen te ne siç erdhi tërmeti, pandemia, duhet të jemi të qartë, të vendosur, të bashkuar, të lidhur me partnerë të fuqishëm. Do ishte mirë të kishim një opozitë që të rrinte mirë në këtë kontekst,  por kemi një opozitë që premton vetëm izolim nga bota dhe nga ana tjetër është e zhytur në buxhetin e rublave. Është fatkeqësi, edhe veprimtaria, edhe mënyra se si vepron në mënyrë të përditshme mbajnë erë. Ajo ç’ka dimë nuk është e gjitha ajo që duhet ditur.” – tha Rama.

Ai shtoi më tej duke thënë se qeveria do vijojë planin për të mbrojtur qytetarët e biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë.

“Do vazhdojmë të qëndrojmë me këmbngulje tek plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Urojmë të kemi edhe shiun e nevojshëm, pasi jemi shumë të varur nga burimet ujore. Duke pasur më shumë prurje shiu kemi më pak nevojë për të dalë në import. Por gjithsesi do të vijojmë që të dalim. Jemi besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha.” – tha Rama.