Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi e Alibeaj pas takimit me Palokën: Jemi të prirur të dalim me një kandidat në zgjedhjet lokale


Deputeti i PD-së Bardhi tha pas takimit me kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së Paloka se biseda me të ka qenë konstruktive e në frymë të plotë mirëkuptimi.

Ai theksoi se demokratët duhet të jenë bashkë për të mundur kryeministrin Rama ndërsa nuk dha më shumë hollësi mbi bisedimet e rezultatin e tyre.

“Asnjëri nuk ka pasur një qëndrim për një çështjes të caktuar. Kemi shkëmbyer thjesht mendime. Njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces. Demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe për të bashkëpunuar në mënyrë të sinqertë dhe këtë proces e dëmton vetëm njëanshmëria. Nuk kam ndërmend të bëj bisedime para kamerave aq më tepër kur diskutoj me një koleg të grupit parlamentar. Sot kemi shkëmbyer disa mendime për të gjetur një rrugë se si të bashkëpunojnë demokratët për zgjedhjet lokale. Kur flas për njëanshmëri flas për qëndrime të ngurta. Nëse kemi hyrë në mënyrë të sinqertë në këtë proces nuk duhet të minojmë dialogun, mirëkuptimin dhe bisedën e sinqertë.” – tha Bardhi.

Alibeaj nga ana e tij tha se të dy kampet e demokratëve janë të prirur të dalin me një kandidat në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

“Para një jave në një diskutim të grupit ramë dakord që jemi të prirur për zgjedhjet lokale të dalim me një kandidat, është në interes të demokratëve. Në pritje të Palokës të takohej me Bardhin, ka pasur një takim që Bardhi do t’ua thotë, unë ju them që siç e thamë javës së kaluar që ishim të gatshëm të diskutonim, ajo që ndodhi tani ishte vetëm një informim që Bardhi na bëri për takimin me Palokën. Nevoja e interesit për të dalë me një kandidat të përbashkët është synim i cili nuk ngërthen vetëm nevojën e një kandidati por një kandidati fitues në nevojën për t’i dhënë fund regjimit të Ramës edhe në zgjedhjet lokale.” – tha Alibeaj.