Kreu i PD-së Berisha u zotua sot se shumë shpejt në vend do nisin protestat e fuqishme. Gjatë një takimi me pedagogët, ai vlerësoi protestën e tyre si të drejtë dhe shprehu mbështjetjen për ta.
Berisha tha se kryeministri Rama ka një përçmim për pedagogët, mjekët e studentët ndërsa parapëlqen trafikantët e të kriminelët.
“Universitetet janë në rrënim, në shuarje. Po i bëni një shërbim të madh kombit, shoqërisë. Dy herë më shumë duhet të protestojnë bluzat e bardha. I ftoj mjekët, i ftoj infermierët, të përmbushin detyrimin e tyre për të shpëtuar sistemin. Tirana është katandisur në dhjetë qytetet me sistemin shëndetësor më të papërshtatshëm sepse ka një diskonsideratë totale për mjekët, pedagogët, studentët. Ka një preferencë absolute për trafikantët, për të inkriminuarit. Me përparësi absolute trafikantët, të cilët zbatojnë çdo kërkesë të tij në narkoeuro, apo faktorë të tjerë. Kjo protestë e juaja është e një rëndësie shumë të madhe. Shumë shpejt do të fillojmë protesta të fuqishme, në mbështetje të universiteteve, të të gjithëve, nuk mund të pranojmë këtë rrokullisje të madhe.” – tha Berisha.
Po kështu ai tha se qeveria e re do e anulojë ligjin për arsimin ndërsa shprehur edhe njëherë mbështetjen maksimale për protestën e pedagogëve.
“Qeveria nuk mundet të ketë më buxhet nën 5% të GDP-së për arsimin. Ligji për arsimin, ndër të parët që do anulohet. Nuk mund të ketë konfiskim të lirisë akademike. Do të bëjmë gjithçka për të tërhequr, për të rikthyer, ose për të vendosur bashkëpunim me të gjitha ekselencat shqiptare kudo që janë sot. Mendja, dija do jetë vis vitalis, forca jetësore e transformimit të Shqipërisë. Këtë grevë që keni nisur do ju japim gjithë mbështetjen që meritoni për suksesin e saj.” – shtoi Berisha.