Vendosni fjalën kyçe....

Konservatorët duan rikthimin e Boris Johnson – Sondazhi


Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, tani është shfaqur si zëvendësuesi i mundshëm më i popullarizuar i konservatorëve në vend të kryeministres Liz Truss, ka treguar një sondazh i ri i YouGov.

Sondazhi, i cili u zhvillua në 17-18 tetor, zbuloi se 32% e të anketuarve do dëshironin që Johnson të kthehej si kryeministër, pavarësisht një sërë skandalesh dhe dorëheqjesh të kabinetit që përshpejtuan largimin e tij përfundimtar.

“Ata që votuan që Truss të merrte përsipër janë veçanërisht të etur për një rikthim të Boris Johnson nëse ajo do largohej: 44% e vendosën atë në krye të listës së tyre të pasardhësve të mundshëm.” – vunë në dukje anketuesit.

Rishi Sunak, i cili shërbeu në kabinetin e Johnson si ministër Financash, mbetet dukshëm pas ish-shefit të tij në popullaritet: vetëm 23% e 530 të anketuarve konservatorë shprehën mbështetje për të.

Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace doli i treti me 10%. Sondazhi vjen ndërsa Truss lufton për mbijetesën e saj politike pasi zbuloi një sërë politikash ekonomike të diskutueshme.

Sipas sondazhit, 55% e të anketuarve besojnë se ajo duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Edhe në mesin e atyre që votuan për të gjatë zgjedhjeve verore të lidershipit konservator, 39% tani duan ta shohin të largohet.

Një sondazh i veçantë i YouGov i kryer midis 14-16 tetorit dhe i publikuar të martën tregon se Truss po humbet shpejt popullaritetin mes britanikëve.

Të hënën, Truss tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Në një intervistë me BBC, ajo madje u zotua të udhëheqë Partinë Konservatore në zgjedhjet e ardhshme (të cilat nuk do të zhvillohen para janarit 2025), duke shtuar se ajo ‘nuk është e fokusuar në debatet e brendshme’ midis konservatorëve.

Komentet erdhën pasi disa deputetë konservatorë i kërkuan publikisht Truss të jepte dorëheqjen, duke e akuzuar atë për minimin e besueshmërisë ekonomike të Britanisë dhe për dëmtimin e partisë.

Në pak më shumë se një muaj në detyrë, Truss ka kryesuar një ndryshim masiv në ndjenjat publike ndaj konservatorëve, të cilët mund të humbasin 219 vende në Parlament. Kjo është sipas një sondazhi të MRP që u krye përpara se kryeministrja të tërhiqej nga plani i saj jopopullor i ‘minibuxhetit’, të zëvendësonte ministrin e Financave dhe të detyrohej të kërkonte falje për ‘gabimet’.