Vendosni fjalën kyçe....

Kontrolli i Lartë i Shtetit perceptohet si institucioni më efikas për llogaridhënien në vend, sondazhi nga IDM ‘Besimi në qeverisje 2021’


Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi në datën 19 shtator 2022, sondazhin e opinionit publik ‘Besimi në Qeverisje 2021’, i cili shqyrton perceptimin publik dhe qëndrimet e qytetarëve në çështje si: besimi në institucionet publike, transparenca dhe llogaridhënia institucionale, korrupsioni, niveli i përfshirjes qytetare në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmëria me ofrimin e shërbimeve publike, menaxhimi i fatkeqësive natyrore dhe zbatimi i ligjeve dhe politikave për mbrojtjen nga diskriminimi.

Në sondazh paraqitet perceptimi i opinionit publik edhe për Kontrollin e Lartë të Shtetit, lidhur me llogaridhënien e qeverisë, ku evidentohet se tre institucionet e perceptuara si mekanizmat më efikase për llogaridhënien në vend janë: Kontrolli i Lartë i Shtetit (71.1%), ndjekur nga Parlamenti (63.9%) dhe media (61.5%).

Pyetësori i sondazhit i ruan të pandryshuara pyetjet kryesore që datojnë që prej vitit 2013 megjithatë Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim bën me dije se rishikohet çdo vit nga një panel ekspertësh të qeverisjes e shkencave sociale, për të përfshirë zhvillimet dhe trendet e ligjërimit publik.

Pyëtësori i sondazhit “Besimi në Qeverisje 2021” u realizua në nëntor 2021, në të 61 bashkitë e vendit, duke përdorur një kampion përfaqësues kombëtar prej 2,500 personash të zgjedhur në mënyrë rastësore.

Të dhënat e mbledhura çdo vit mbështesin vlerësimin e performancës së vendit dhe zbatimit të angazhimeve në nivel ndërkombëtar si Partneriteti për Qeverisjen e Hapur (PQH) dhe Axhenda 2030: Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Raporti është përgatitur në kuadër të projektit ‘Konsolidimi i shërbimeve publike me në qendër qytetarin në Shqiper’ (CSDA), një fond i përbashkët donatorësh, i cili zbatohet nga qeveria shqiptare në partneritet me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe me Bashkëpunimin Austriak për Zhvillim (ADC) si kontribues kryesor, bashkë me UNDP-në.