Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve paralajmëron protestën e radhës, i përgjigjet Ramës për vetingun: Shantazh, s’do ketë sukses


Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi ka paralajmëruar grevën e radhës që do zhvillohet të enjten në orën 11:00 para Universitetit Politeknik.

Gjatë një interviste në emisionin Frontline në News24, ai tha se profesorët janë shantazhuar që të braktisin protestën.

Kovaçi theksoi se sistemi politik në vend është i kalbur e i korruptuar ndërsa shtoi se pedagogët në vendet fqinje apo të rajonit kanë paga disafish më të larta se në Shqipëri.

“Edhe nëse do mbetem vetëm unë, do protestoj vetëm unë. Këtu është një vend ku demokracia është në nivele elementare, të shikosh profesoratin të shantazhuar, që ka frikë është para autokraci ose diktaturë. Duket sikur ne po kërkojmë 50% rritje, ne po kërkojmë pa interesa atë që duhet të na kishte rritur nga 2004 pa inflacion. Profesorati nuk ka pasur asnjë rritje vjetore. Në Shqipëri sistemi politik është i kalbur dhe i korruptuar. Nuk kemi kërkuar shumë, 0.3% të GDP-së. Ndaj nuk e quajmë të negociueshme këtë situatë. Shantazhi i tij është ndaj profesorëve, ndaj drejtuesve. Vettingu ndaj profesorëve do ishte i vlefshëm po ta kishte bërë nga 2013, por ta bëjë sot që ka protestë është qëndrim i poshtër i kryeministrit. Po të isha aty do i thosha nuk po flet me njerëz dele këtu. Në peticion janë dakord 100% e personelit akademik.” – tha Kovaçi.

Ai sqaroi edhe paralajmërimin e Ramës për veting të pedagogëve duke thënë se ky është shantazh i pastër dhe se pedagogët nuk do shantazhohen dot pasi janë në të drejtën e tyre.

“Në qoftë se bën fjalë për vetting të drejtuesve, nuk ka sens se është shantazh që ata presionin ta çojnë poshtë të pedagogët. Jemi në të drejtën tonë dhe ndaj nuk mund të më shantazhojë dikush. Çdo shantazh është mashtrim dhe nuk ka shans ta çojë në përfundim. Nuk mund të shkojë me shkarkim se ka Kushtetutë, ka të drejta të njeriut. I themi profesoratit jeni të sigurt, ju mbron ligji. Kryeministri e bën shantazhin që të bëjnë trysninë poshtë. Unë mendoj se trysnia poshtë do rrisë presionin. Ne do rezistojmë deri sa të realizohen kërkesat e profesoratit që janë minimaliste. Në qoftë se deri dje kam pasur një lloj ballafaqimi dhe me rektorin, vërejtjet e mia, unë i them tani se jam me ta. Kryeministri ka pasur kohë nga 2013 deri tani po të donte të bënte vetting.” – shtoi Kovaçi.