Liz Truss ka këmbëngulur se ajo do t’i udhëheqë konservatorët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, pavarësisht vështirësive që po kalon për momentin.
Kryeministrja britanike kërkoi falje për gabimet e saj që bëri sa mori detyrën, pasi kancelari i ri Jeremy Hunt hodhi poshtë pothuajse të gjitha planet e saj për uljen e taksave për të stabilizuar trazirat e tregut.
Ajo shtoi se mandati i saj i parë njëmujor “nuk ka qenë perfekt“, por ajo i kishte “ndrequr” gabimet. Dhe po ashtu tha se do të ishte “e papërgjegjshme” po të mos ndryshohej kursi.
Në një intervistë për BBC, ajo tha se ishte ende e përkushtuar për të nxitur rritjen ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar, por pranoi se tani do të duhej më shumë kohë për t’u arritur.
“Unë mbetem e përkushtuar ndaj vizionit, por ne do të duhet ta realizojmë atë në një mënyrë tjetër.”– tha ajo.
Kjo intervistë e Truss vjen pas një dite dramatike në Westminster, pasi Hunt njoftoi se pothuajse të gjitha shkurtimet e taksave të shpallura në mini-buxhetin e muajit të kaluar do të anuloheshin.
Vendimi është mirëpritur nga investitorët, por ka shkërmoqur axhendën ekonomike të zonjës Truss vetëm disa javë pas marrjes së detyrës.
Në intervistën e saj, zonja Truss tha se pranoi përgjegjësinë për të shkuar “shumë larg, shumë shpejt” – dhe ajo donte “të kërkonte falje për gabimet që janë bërë”.