Kreu i PL-së Meta tha mbrëmjen e sotme se te Autoriteti i Dosjeve është bërë një komplot Rama-Basha.
I ftuar në emisionin ‘Pushtet’ në Faxnews, ai tha se falsifikimi që ka bërë Autoriteti i Dosjeve ndaj tij është shumë herë më i rëndë se ato gjatë kohës së diktaturës komuniste.
Gjatë intervistës Meta tha se nga autoriteti janë larguar dy anëtarë bordi të cilët janë zëvendësuar me dy të beesuar të ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Meta tha gjithashtu se karrierën e tij politike nuk e pengon dot askush.
“Nuk ka të bëjë thjesht me figurën time në këtë drejtim, por është një çështje që ka të bëjë me një demonstrim spektakolar të mënyrës se si pas 32 vitesh degradon shteti në një grupim mafioz i cili guxon të bëjë falsifikime të tilla, që janë shumë herë më të rënda se sa ato të regjimit komunist. Askush nuk është i sigurt se çfarë është ajo çështje. Është një pus i errët. Kanë ikur dy anëtarë nga bordi aty dhe janë zëvendësuar nga dy të besuar të Lulzim Bashës. Është një komplot Rama Basha. Nuk e pengon dot më njëri karrierën politike të Ilir Metës. Këto janë histori lepurushësh. Pushteti im është karakteri im dhe ndëshkimi që i pret për këto pabesi që i kanë bërë vendit dhe qytetarëve.” – tha Meta.