Vendosni fjalën kyçe....

Pedagogët në ditën e dytë të bojkotit të mësimit: Jemi ende në kohën e Migjenit

Pedagogët vijojnë bojkotin e mësimit për të dytën ditë me radhë, nga nisja e vitit të ri akademik në Universitetet publike.

Thirrjes së sindikatës së pedagogëve duket se i janë bashkuar dhe shumë studentë, që mbështesin kauzën e pedagogëve të tyre.

Një prej pedagogëve të Shkencave të Natyrës deklaroi se rritja prej 15% që premtoi qeveria është qesharake, pasi sipas tij nuk përfshin të gjithë stafin akademik. 

“Çdo ditë, do të jemi në bojkot, deri sa të ulemi me qeverinë për të plotësuar kërkesat tona. Ka dy arsye që s’e pranojmë ktë rritje prej 15%. Nuk përfshihet i gjithë stafi. Rritja është barrë për studentët. Nuk e pranojmë këtë. Sot do të mblidhet Këshilli Studentor. Sot do të vijohet bojkot, në orën 10 takim dhe më pas do të vendosim.”– tha pegdagogu për televizionin News 24.

Pedagogu Aleksandër Petre tha se momentalisht, në salla nuk ka asnjë koleg të tij që bën mësim: “Di të them se në fakultetin e Shkencave nuk bëhet mësim. Mund të shihni të kontrolli sallat e leksioneve. Mund të ketë ndonjë rregullthyes, por secili është i lirë. Nëse nuk ju pëlqen greva dhe kërkesa për rritje page, atëherë janë të lirë. Është mbështetur nga 93% e stafit. Ne do ta ndalojmë bojkotin, nëse do të rriten. I ka mbledhur sot në takim rektorët.”

Një tjetër pedagoge nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, tha se janë akoma në “kohën e Migjenit”, ku pedagogët nuk ua bëjnë dot studentët leksionet as me slider për shkak të mungesës së infrastrukturës.

 “Studentët janë mbështetja jonë, janë më të pafajshmit në këtë mes, më të pakapshmit, ata e dinë se ne nuk ua bëjmë dot leksionet as me slider sepse nuk ka infrastrukturë. Të mos krijojmë më trauma sociale, e kemi traumatizuar këtë popull në ekstrem. Jemi akoma në kohë të Migjenit është e turpshme. Unë s’jam përfaqësuese e Sindikatës, por për intelektualin absurdi kurrë nuk mund të bëhet normale, ndoshta për njeriun e zakonshëm po, për ne jo. E keqja është të mos zgjatet ky proces, të diskutojmë sepse bëhet fjalë për të ardhmen e këtij kombi.”– tha pedagogia.