Në takimin me rektorët, kryeministri Edi Rama foli sot për mundësinë e ndryshimit të sistemit të Universiteteve në vendin tonë duke marrë si shembull Universitetin e Tiranës.
Ai theksoi se Universiteti i Tiranës mund të rritej në rankime nëse bashkohej me Universitetin e Mjekësisë. Megjithatë pranoi se kjo tezë mund të shkaktonte polemika.
Po ashtu Rama tha se degët si Infermieria apo Juridiku nuk mund të jenë në të gjitha universitetet e vendit kur nuk mund të ofrojnë të njëjtën cilësi.
“Fjala vjen një tjetër element shumë i thjeshtë për të rritur rankimin. Pasja e një numri të caktuar universitetesh në një ombrellë. Një shembull dhe shpresoj të mos kthehet në polemikë. Universiteti i Tiranës mund të rritet menjëherë në rankimin e vet nëse ka brenda Mjekësinë.
Këto janë dy universitete të ndara. Po prek mjekësinë që është një nga krenaritë e sistemit tonë aktual akademik për kapacitetet që ka dhe produktet që nxjerr. Të diplomuarit tanë gjejnë në çdo sistem në Europë pa problem. Për një gjë duhet të biem dakord. Nuk mundemi dot ne, një vend kaq i vogël me këto potenciale që kemi, që të kemi në të gjithë territorin e Shqipërinë universitete që i bëjnë të gjitha.
Shtojnë ujë dhe miell duke shtuar mediokritetin dhe duke i hequr vetes mundësinë për të qenë ekselenca në një drejtim te caktuar. Ne po humbasim kohë në pritje të diçkaje që nuk do ndodhë kurrë. Që këtë gjë ta bëjnë vetë universitetet. Nuk e bëjnë dot. Duhet të jemi të përgatitur dhe të punojmë në një drejtim që pa i hequr asgjë askujt, të krijojmë kushte që të gjithë të përfitojnë më shumë duke u bërë shumë më tepër tërheqës për tregun e brendshëm dhe atë europian. Duhet të përballemi me pyetjen pse ky universitet bën gjithë këto gjëra. Pse duhet të ketë juridik në të gjithë Shqipërinë. Pse duhet të ketë infermieri në të gjithë Shqipërinë? Kështu si është ky sistem nuk na çon larg dhe i bën gjithmonë e më pak tërheqësia degë të caktuara të cilat pastaj detyrohen të ulin pritshmërinë për cilësinë e atyre që marrin dhe pastaj thonë një pjesë do i marr edhe me pesa sepse më duhen.”- deklaroi Rama.