Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Një shofer në Fondin Shqiptar të Zhvillimit merr 4 herë më shumë se një pedagog


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me drejtuesit e degëve në Tiranë, foli edhe për protestën e pedagogëve për rritje pagash.

Berisha tha se një lektor merr katër herë më pak se një shofer në Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ai preku edhe gjendjen e kërkimit shkencor për të cilin tha se nuk stimulohet dhe pedagogëve u duhet të paguajnë nga financat e tyre për ta kryer atë.

“Shqipëria dhe Edi Rama kalojnë nga një skandal në një skandal tjetër, nga një mashtrim dhe nga një vjedhje në tjetrën. Ne mbështesim çdo kauzë të drejtë. Protesta e universiteteve është e një rëndësie jetike për kombin. Unë dua të jap një shembull. Një shofer në Fondin Shqiptar të Zhvillimit merr një rrogë 4 herë më të madhe se sa një lektor në universitetet tona. A ka qëndrim më përçmues ndaj elitës së kombit se sa ky. Çdo pedagogu universiteti i leverdis të jetë shofer i cili merr fiks katërfishin e pedagogut. Mora këtë aspekt. Janë pedagogë të Universitetit të Prishtinës, marrin dyfishin me ata të Universitetit të Tiranës.

Gjendja e kërkimit shkencor është e paimagjinueshme. Ka qenë më mirë në diktaturën e Enver Hoxhës. Jam dëshmitar vetë. Në diktaturë bëja projekt për një kërkim shkencor. Projektin tim e miratonte vetëm zv.dekani. Kishte shpenzime. Nuk e miratonte as rektori dhe as ministri. Ky ndaloi për 8 vite doktoraturat. Sot çdo pedagog për të publikuar një artikull duhet të paguajë. Në diktaturë na pagonin për çdo artikull që bënim.

Sot pedagogu detyrohet të paguajë për artikullin që publikon. Këto janë qëndrime shkatërrimtare për universitetin. Universiteti është një pasuri kombëtare që duhet të mbrohet”-deklaroi Berisha.