Sali Berisha në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, është ndalur tek protesta e pedagogëve.
Ai thotë se kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar pedagogët se do u bëhet vetingu i pasurisë, kur për vete ka krijuar “saraje” dhe s’ka “fytyrë” t’u kërkojë vetting atyre.
“Ky njëlloj si një urrejtës i kërkimit shkenxor e ndaloi. Me arsyen se mban një pedagog 20 diploma, po shumë mirë bëje normën, po jo ta ndalosh. Vuri në krye të arsimit një person që kishte pasur problemet më serioze me shkollimin e vet dhe mori këto vendime. Tani u rikthehet përsëri pasi i ka fundosur 8 vite me radhë duke i mbajtur pa kërkime shkencore, duke u marrë me punësimin e tyre, jo s’mund të keni kaq punësime, duke ndërhyrë në kohën e tyre. Duke u mbajtur rrogat në rënie çdo vit për shkak të inflacionit. Tani vërsulet ndaj kërkesave më minimale të pedagogëve, punonjësve sikur ta kishte nxjerrë Enver Hoxha nga hunda. Apo sikur ky universitet të kishte emrin Spiro Koleka.
Vërsulet e u tregon hanxharin, vetingun, kush është ky që u tregon vetingun këtyre? Kreu i një organizate më korruptive, kriminale në Evropë, që është qeveria e tij, kreu i një organizate që thotë unë firmos fap e fap e paf e paf. Firmos kur entet e specializuara i thonë nuk mund të firmoset. Ligji i tij i xhepit prevalon e ky kërkon veting pedagogëve, ky ka fytyrë t’u kërkojë veting, që mashtron e thotë se parkun rreth shtëpie 5 mijë metra katrorë e ka blerë me 2 dollarë. Ky ka për vete sarajet.”- tha Berisha.