Ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, i cili ka një miqësi të gjatë me Vladimir Putin, i ka dalë një audio ku dëgjohet duke u mburrur se presidenti rus i kishte dhuruar 20 shishe vodka dhe një letër “të ëmbël” për ditëlindje.
Agjencia italiane e lajmeve LaPresse publikoi një incizim të zërit të Berlusconit, që duket se është bërë në mënyrë sekrete, kur ai ka qenë duke biseduar me pjesëtarë të partisë së tij, Forza Italia.
“Ai më dërgoi 20 shishe vodka dhe një letër vërtet të ëmbël për ditëlindjen time. Unë u përgjigja me 20 shishe Lambrusco (një verë e kuqe e gazuar italiane) dhe një letër po aq të ëmbël.”– dëgjohet Berlusconi.
Ai shton se Putin e ka quajtur atë “një nga pesë miqtë e tij të vërtetë”.
Rasti ishte ditëlindja e 86-të e Berlusconit më 29 shtator, katër ditë pasi e djathta fitoi më shumë vota në zgjedhjet kombëtare të Italisë.
Komentet kanë krijuar shumë zhurmë në Itali, pasi kjo audio vjen në një kohë kur koalicioni konservator i Italisë i kryesuar nga Giorgia Meloni, i cili ka mbështetur fuqishëm Ukrainën në luftën e Rusisë, po ndan postet e kabinetit për të formuar qeverinë e re.
Forza Italia, anëtari i vogël i koalicionit, është duke gjuajtur për ministrinë e jashtme, midis ministrive të tjera. Në audiokasetë, Berlusconi gjithashtu dukej se mbronte pozicionin e Moskës në luftë, duke iu thënë bashkëbiseduesve të tij se zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se Perëndimi është në luftë me Rusinë “sepse ne po i japim Ukrainës armë dhe financim”.
Nuk është hera e parë që Berlusconi mbron Putinin. Në fund të fushatës, ai dukej se justifikonte pushtimin rus duke thënë se Putini u detyrua nga separatistët pro-Moskës në rajonin Donbas të Ukrainës lindore. Zyra e Berlusconit u përpoq të mohonte komentet e tij në audio duke thënë se ky ishte një episod i ndodhur disa vite më parë.