Bashkia e Sarandës ka reaguar lidhur me denoncimin e publikuar mbrëmjen e kaluar në emisionin “Stop”, ku u akuzuan për dhunë zyrtarët në Shtëpinë e Fëmijës. Sipas bashkisë, Institucioni i Shtëpisë së Fëmijës, kundërshton akuzën dhe deklaron se nuk ka pasur dhunë.
Një djalë nga Shtëpia e fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë, tregoi për kamerën e emisionit “Stop” se në këtë institucion fëmijët i keqtrajtojnë. Ai tregoi se shpesh mësueset thërrasin policë që nuk lejohet të hyjnë brenda dhe këta të fundit, i ulin në gjunjë dhe i rrahin fëmijët për gabime të zakonshme.
Djali tha se njëherë dy vajza 14 vjeçare, i zhveshën e i rrahën. Më pas vajzat u transferuan në Shkodër. Për këtë rast, bashkia gjithashtu i hedh poshtë akuzat.
REAGIM I BASHKISË SARANDË:
Lidhur me problematikën e trajtuar në emisionin Stop në TV Klan, ku shfaqej një fëmijë, i cili është rezident në institucionin e Shtëpisë së Fëmijës “V.Pulla”Sarandë dhe bënte fjalë për keqtrajtime në këtë institucion, sqarojmë se:
Nga institucioni i Shtëpisë së Fëmijës konsiderohen të pandodhura aktet e pretenduara për keqtrajtim. Ndërkohë, edhe nga verifikimi i i bërë nga grupi, që në vijimësi monitoron këtë institucion, ka rezultuar ngjarja e pretenduar e pandodhur dhe denoncimi i pavërtetë. Edhe në Komisariatin e Policisë nga vetë fëmija është konfirnuar mosushtrimi i dhunës nga edukatoret. Theksojmë se filmimi i transmetuar në “Stop” më 18 tetor 2022, është i vitit 2020, kur fëmija, në kushte karantine, për shkak të covid, është larguar nga institucioni në orët e vona.
Sa i takon pretendimit për keqtrajtim të dy vajzave, sigurojmë se akte të tilla nuk kanë ndodhur. Transferimi i vajzave për të cilat bëhet fjalë, në një institucion tjetër, është kryer për shkak të kalimit të moshës, pasi në Shtëpinë e Fëmijëve Sarandë akomodohen fëmijë të moshës 6-15 vjeç.