Vendosni fjalën kyçe....

Evropa do përballet me krizën më të keqe të gazit vitin që vjen – Katari


Evropa do përballet me mungesë të gazit natyror gjatë disa viteve të ardhshme për shkak të prishjes së tregtisë me Rusinë, tha ministri i Energjisë i Katarit, një eksportues kryesor global i gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Zëvendësimi i të gjithë gazit rus me burime të tjera nuk duket si një strategji e zbatueshme, tha Saad al-Kaabi për Financial Times në një intervistë të botuar të martën.

Nëse ‘zero gaz rus’ rrjedh në BE, siç synon Brukseli, ‘unë mendoj se problemi do të jetë i madh dhe për një kohë shumë të gjatë’, tha ai.

“Thjesht nuk ka vëllim të mjaftueshëm për të zëvendësuar atë gaz për një periudhë afatgjatë, përveç nëse do lejoni ndërtimin e termocentraleve bërthamore, do lejoni qymyrin e do përdorni naftë.” – shpjegoi ministri.

Udhëheqja e BE-së krenohet që ka ulur pjesën e gazit rus në furnizimin e bllokut nga rreth 40% në vetëm 7.5% në shtatë muaj. Brukseli shpreson të rrisë masivisht furnizimet me LNG dhe të rrisë importet nga Norvegjia e Algjeria për të eliminuar plotësisht varësinë nga energjia ruse.

Rritja e kërkesës nga Evropa po përballet me rezistencë nga tregjet tradicionale për LNG në Azi. Kina thuhet se ka urdhëruar importuesin e saj shtetëror që të mos rieksportojë gazin e tepërt për shkak të shqetësimeve për një deficit të mundshëm në dimër.

Kaabi paralajmëroi në intervistë se ndërsa kombet evropiane kishin grumbulluar mjaft gaz në objektet e magazinimit për ta kaluar dimrin relativisht të padëmtuar, megjithatë tha se nuk ka siguri se e njëjta gjë do ndodhë edhe në dimrat ardhshëm. Kriza energjetike mund të jetë ‘shumë më e keqe vitin e ardhshëm’, nëse gazi rus nuk importohet, tha ai.