Vendosni fjalën kyçe....

Fitimi i kompanive nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve ra me 63% vitin e kaluar


Fitimi i kompanive nga sigurimi i detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) vitin e kaluar preku nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit.

Të dhënat e raportit të Mbikëqyrjes nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se bilanci i llogarisë teknike për produktin e brendshëm TPL ishte pozitiv në vlerën e 308 milionë lekëve, por në rënie me 63.5% krahasuar me vitin 2020.

Efektin kryesor në këtë rënie e ka dhënë rritja e dëmeve të paguara nga kompanitë e sigurimit. Për vitin 2021, dëmet e paguara neto për produktin e brendshëm TPL arritën në rreth 2.95 miliardë lekë, në rritje me 31.7% krahasuar me një vit më parë.

Paralelisht, një efekt negativ dha rritja e shpenzimeve të marrjes në sigurim dhe të shpenzimeve administrative të lidhura me këtë produkt. Ndërkohë, primi i fituar nga ky produkt u rrit me ritme ndjeshëm më të ulëta, 7.1% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e ndjeshme e dëmeve krahasuar me vitin 2020 mund të jetë kryesisht e lidhur me shpërthimin e pandemisë dhe kufizimet e lëvizjes që synonin të frenonin përhapjen e Covid-19, sidomos gjatë tremujorit të dytë të vitit. Kufizimi i lëvizjes solli edhe rënie të numrit të aksidenteve dhe rrjedhimisht edhe të dëmeve të paguara nga siguruesit.

Sigurimi i detyrueshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të treta përbën edhe produktin më të rëndësishëm të tregut të sigurimeve të Jo-Jetës në Shqipëri, me pothuajse 57% të primeve të shkruara bruto për 2021.

Për këtë arsye, rënia e fitimit nga ky produkt ka ndikuar ndjeshëm në rezultatin financiar të tregut të sigurimeve. Sipas statistikave të AMF, vitin e kaluar fitimi neto i tregut të sigurimeve të Jo-Jetës ra me 47% krahasuar me vitin 2020.

Megjithë rënien e ndjeshme të fitimit nga sigurimi TPL në 2021, statistikat tregojnë se ky produkt në nivel tregu ka qenë në vazhdimësi fitimprurës, madje edhe në kushtet kur kompanitë e sigurimeve kanë mbajtur nivele shumë të larta të shpenzimeve të marrjes në sigurim.

Shpenzimet e marrjes në sigurim arritën në 3.3 miliardë lekë, 9.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Raporti i shpenzime të marrjes në sigurim për vitin 2021 arriti në 36.9%, në rritje të mëtejshme nga niveli prej 35.2% i vitit 2020.

Megjithatë, këtë vit ky raport është i destinuar të ulët, për shkak të hyrjes në fuqi të rregullores së AMF që vendos një nivel tavan për komisionet e shitjes në produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik.

Këtë vit niveli tavan është 20%, ndërsa vitin e ardhshëm do të ulet në 18%. Vendosja e niveleve tavan të komisioneve synon të rrisë eficiencën e shpenzimeve të kompanive të sigurimit të jo-jetës dhe të kontribuojë në forcimin e parametrave të tyre financiarë./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor