Vendosni fjalën kyçe....

Mandati i ministres Olta Xhaçka, PS rrëzon kërkesën e PD-së për ta çuar në Kushtetuese


Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh këtë të mërkurë për të prezantuar raportet e opozitës dhe mazhorancës për ministren e Jashtme Olta Xhaçka. Këshilli vendosi sot të shkojë me dy raporte në Kuvend lidhur me kërkesën e PD-së për heqjen e mandatit të Xhaçkës si deputete.

Në raportin e tyre socialistët paralajmëruan se çështjen e ngritur nga opozita nuk do e dërgojnë në Kushtetuese.

Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi akuzoi socialistët se kanë vendosur të marrin në mbrojtje kolegen.

“Unë e kolegia e mazhorancës nuk kemi rënë dakord për një raport të përbashkët se kolegët e maxhorancës kanë vendosur të marrin në mbrojtje ministren e kolegen e tyre Olta Xhacka. Qëndrimi i opozitës ka qenë që këtë çështje duhet ta shqyrtojë në themel Gjykata Kushtetuese.

Ne nuk vendosim nëse një deputet ka ushtruar ose jo mandatin në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo që ne e Kuvendi vendos është për t’ja përcjellë për shqyrtim GJK. Siguroj koleget se çështja do dërgohet për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në GJK e ne do mblidhemi përsëri këtu pas vendimit te GJK që do ju detyrojë ta dërgoni në këtë çështje në GJK.

Keni në dorë me forcën e kartonit për ta vonuar këtë çështje por s’do e pengoni kurrë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për një deputete të grupit tuaj parlamentar, për një ministre që duke përfituar nga pozita e deputetes e ministres ka vendosur të bëjë milioner bashkëshortin e saj.”– tha Bardhi.

Ndërsa sipas maxhorancës, Kuvendi nuk ka arsye kushtetuese për të çuar në Gjykatë kërkesën e PD-së.

“A është Kuvendi në kushtet që t’i drejtohet Kushtetueses për t’a shqyrtuar çështjen? Nuk janë kushtet për vënien në lëvizje të Kushtetueses. Ne arrijmë në konkluzionin që nuk ka çështje që Kuvendi duhet t’ia dërgojë për shqyrtim Kushtetueses. Kërkesat e paraqitura nuk plotësojnë kriteret e Kushtetutës.”– tha deputetja socialiste Klotilda Bushka.