Vendosni fjalën kyçe....

Muzeu i Berlinit fik dritat për shkak të krizës energjetike


Kriza energjetike ka arritur edhe në skenën kulturore. Hamburger Bahnhof në Berlin, shtëpia për artin bashkëkohor të Nationalgalerie, tani po dërgon një sinjal. Muzeu ka fikur dritat e neonit të përdorura për instalimin e dritës “Untitled” nga artisti amerikan Dan Flavin, i cili ka zbukuruar fasadën e ndërtesës që kur u hap në 1996.

Siç shkruan media gjermane “Die Welt”, tubat e neonit blu në shtyllat midis harqeve me dritë jeshile të fasadës neoklasike kanë qenë tipari dallues i muzeut që atëherë.

“Është e rëndësishme që ne, si një muze i njohur ndërkombëtarisht, të japim një shembull në situatën aktuale dhe të japim kontributin tonë në kursimin e burimeve të pakta.”– tha Till Fellrath, drejtor i muzeut Hamburger Bahnhof së bashku me Sam Bardaouil, duke shpjeguar fushatën. “Shpresojmë që ky hap, i vështirë për ne, të stimulojë gjithashtu një rimendim të përgjithshëm të planifikimit të qëndrueshëm të muzeve.”-shtoi ai.

Flavin kishte projektuar tubat me dritë fluoreshente veçanërisht për fasadën dhe krahët anësorë historikë të muzeut. Sipas muzeut, instalimi është fikur për herë të parë që nga themelimi i shtëpisë. Ndërprerja e energjisë për veprën e artit pritet të zgjasë gjatë dimrit deri në fund të marsit.