Vendosni fjalën kyçe....

“Në krye të grevës së pedagogëve një i SHIK-ut” – Pedagogu i përgjigjet Ramës: Për atë punë kam marrë shpërblim nga ty


Kreu i sindikatës së pedagogëve Sandër Kovaçi i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama i cili foli ashpër kundër tij sot duke thënë se grevën e pedagogëve po e drejton një i SHIK-ut.

Në një intervistë për “News24”, Kovaçi tha se kryeministri duhet të rrisë pagat e pedagogëve nëse do që greva të ndërpritet. Ndërsa lidhur për punën e tij në Shërbimin Informativ, Kovaçi tha dhe ka marrë shpërblim nga vetë Rama.

“Kryeministri të përqendrohet në kthimin e përgjigjes për peticionin. Gjithë të tjerat janë retorikë.
Unë kam qenë profesor, kam qenë ambasador 5 vjet ku kam bërë një punë të shkëlqyer duke sjellë këtu kryeministrin e Sllovenisë. Kam bërë 2 vizita presidentësh, 4 forume mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.
Pas kësaj pune të shkëlqyer m’u kërkua të punoj si drejtor i analizës në Shërbimin Informativ dhe kam dhënë kontribut deri në vitin 2015 dhe unë e quaj intimidim ndaj atij institucioni.
Deklarata të papërgjegjshme. E kam për nder që kam kontribuuar për atë institucion për një periudhë më shumë se 2-vjeçare dhe kam punuar për atë kryeministër dhe ka marrë shpërblim ai departament për punën e shkëlqyer, nga Rama. E quaj për nder që kam punuar në një institucion serioz dhe shpresoj që të jetë dhe sot një institucion serioz.”- tha Kovaçi.

Ai deklaroi se protestat e pedagogëve do të vijojnë. “Ne do vazhdojmë protestat sepse kemi drejtësinë me vete, pastërtinë. Kryeministri nëse do ta mbyllë këtë protestë të ngrejë pagat. Ne kemi trajtuar problemin si një problem kombëtar.”

Kryeministri Edi Rama në një takim në Gjirokastër, ka reaguar për protestën e pedagogëve ku kundërshtoi fort rritjen e pagës për ta. Sipas tij sindikata e pedagogëve drejtohet nga anëtar i SHIK-ut dhe paralajmëroi që ata që dalin në protestë të harrojnë rritjen e pagës.

 “Ata pedagogët me një të SHIK-ut n krye që kërkojnë rritje page kur jo vetëm u është rritur por më shumë se të tjerët, që përveç qeverisë ua rrit autonomia. Autonomia është përgjegjësi, ata që dalin ta harrojnë rritjen, sepse do e kenë zjarrfikësat dhe pensionistat të parët. Mesazhi im është i thjeshtë, nuk jeni as si pensionistët, as si mësuesit as policët e zjarrfikësit. Jeni me autonomi, do e nxirrni vetë me projekte. Pjesa më e madhe e pedagogëve nuk dalin për të bërë selfie te dera për t’i nxjerrë mediat por janë në mësim.”– u shpreh Rama.