Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur 4 subjekte, të akuzuara se u tregtonin vezë pa vulën përkatëse dhe të paetiketuara.
Sipas AKU-së, katër bizneseve iu vendosën 11 masa administrative gjobë me vlerë 2,100,000 lekë. Po ashtu atyre iu bllokua edhe sasia prej rreth 20 mijë kokrra vezë.
Përveç vezëve u bllokuan dhe produkte të tjera ushqimore të konsideruara të pasigurta për konsum.
Njoftimi i policisë:
Trupa inspektuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë monitorimit në qarkun Korçë në njësi të tregtimit të produkteve të mishit, mishit të pulës dhe të vezëve, ka konstatuar disa subjekte në cenim të sigurisë ushqimore, për tregtim të ushqimit të pasigurt, në mungesë gjurmueshmërie, etiketimi dhe afat të kaluar të përdorimit.
Nga kontrollet e kryera në subjektet me iniciale “E”, “H.E”, “A.C”, “Ll”, “ZH” dhe “K.F”, u konstatua hedhja në treg e ushqimit të pasigurt për konsum, tregtimi i produktit vezë pa vulën përkatëse dhe të paetiketuara, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, tregtimi i produkteve ushqimore me afat të kaluar përdorimi si dhe ushtrim i aktivitetit i pa pajisur me licencën përkatëse.
Për shkeljet e konstatuara trupa inspektuese e AKU-së vendosi 11 masa administrative gjobë me vlerë 2,100,000 lekë të rinj si dhe u bllokua sasia prej rreth 20,000 kokrra vezë dhe produkte të tjera ushqimore të pasigurta për konsum.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët se do të vijojë me monitorime dhe kontrolle në të gjthë vendin në zbatim të ligjit për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit.