Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Milanoviç del kundër trajnimit të ushtarëve ukrainas në Kroaci


Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, dënoi kundërshtimin nga ana e presidentit Zoran Milanoviç, ndaj ofertës së Ministrisë së Mbrojtjes që ushtarët ukrainas të trajnohen në Kroaci.

“Shteti kroat, me vendimet e Qeverisë, ka muaj që e mbështet ushtarakisht Ukrainën. Bëhet fjalë për politikën e Kroacisë në kuadër të aktiviteteve më të gjera të Bashkimit Evropian”, tha Plenkoviç, më 19 tetor, në mbledhjen e Qeverisë kroate.

“Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Gërliç Radman, në takimin e Këshillit të BE-së më 17 tetor, bashkë me 20 ministra të tjerë të punëve të Jashtme të vendeve anëtare, ka shprehur në parim gatishmërinë e Kroacisë për të marrë pjesë në trajnimin e ushtarëve ukrainas”, tha Plenkoviç.

Ai gjithashtu shtoi se bashkë me Kroacinë, 12 vende të tjera kanë shprehur gatishmërinë që këtë trajnim ta kenë në territorin e vendeve të tyre.

“Shpreh shqetësimin tim për reagimet e presidentit Milanoviç dhe aq më tepër për mbështetësit e tij në Parlament, të cilët në esencë po ekspozojnë pikëpamjet e tyre pro-ruse”, tha kryeministri kroat.

Disa parti opozitare të qendrës së majtë dhe parti opozitare të krahut të djathtë mbështetën kundërshtimin e Milanoviçit për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Kroaci.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kroacisë ka konfirmuar më herët se janë gati që oficerët e atij vendi të fillojnë trajnimin e ushtarëve ukrainas.

“Në kuadër të trajnimeve ekzistuese, jemi të gatshëm të presim kursantë të huaj, në përputhje me planet dhe procedurat ligjore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes për mediat kroate.

Por, presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç, u shpreh kundër përfshirjes së ekspertëve në trajnimin e ushtarëve dhe tha se nuk i pëlqen kjo ide.

“Nuk e mbështes këtë ide, sepse unë nuk e mbështes përfshirjen e Kroacisë në këtë luftë më shumë sesa duhet. Ne jemi specifik, solidar dhe kaq. Unë si komandant i përgjithshëm nuk do ta miratoj këtë”, u ka thënë Milanoviç gazetarëve, më 18 tetor.

Presidenti i Kroacisë është edhe komandanti suprem i forcave ushtarake.