Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria franceze do përdorë fuqi të veçanta kushtetuese për të kaluar buxhetin e vitit 2023


Qeveria franceze do të përdorë fuqi të veçanta kushtetuese për të kaluar buxhetin e saj të vitit 2023 pa votim parlamentar.

Kjo iniciativë ka ndezur akuza për “autoritarizëm” nga opozita duke lëkundur pozitat e Presidentit Emmanuel Macron që kur grupimi i tij centrist humbi shumicën absolute në zgjedhjet e pranverës së kaluar.

“Është përgjegjësia jonë të sigurohemi që vendi ynë të ketë një buxhet”, tha kryeministrja, Élisabeth Borne, para parlamentit ndërsa i dha fund debatit disaditor të nxehtë mbi buxhetin pro-biznes të qeverisë, për të cilin ministrat thanë se do t’i mbronte njerëzit nga kriza e kostos së jetesës duke shmangur rritjen e taksave.

Blloku i majtë i opozitës në parlament njoftoi se do të bënte thirrje për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, diçka që shihet kryesisht si simbolike dhe ka pak shanse për të kaluar.

Ngërçi ishte goditja e parë e vërtetë parlamentare për Macron që kur Franca u zhyt në një formë të paprecedentë bllokimi politik në zgjedhjet parlamentare të qershorit.