Kryeministri Rama ka mbrojtur projektin e qeverisë së tij për rilindjen urbane ndërsa ka sulmuar opozitën lidhur me vendimin e qeverisë për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje.
Në një takim me qytetarët në Gjirokastër, kreu i qeverisë tha se ata që sulmojnë rilindjen urbane, janë të njëjtët që kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për konfiskimin e ndërtimeve pa leje e dhënien e tyre për qytetarët.
“Për Rilindjen urbane thoshin fasada, fasada. Nuk është e vërtete. Por kujt t’ja thuash atyre që akoma sot nuk heqin dorë nga ideja që kanë frymëzuar ndërtime pa leje apo atyre që shkojnë në Gjykatë Kushtetuese, parti politike që do të marrë pushtetin, për të rrëzuar vendimin e qeverisë për të rrëzuar konfiskimin e ligjshëm dhe marrjen për t’ja dhënë njerëzve dhe shtetit të gjithë metrat katrorë të ndërtuar pa leje. Këta që më akuzojnë mua që mbështesim oligarkë që i kemi ne, i kam unë kullat që do t’u merret çdo metër katror e hotel që i kanë bërë pa leje, këta shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për ta rrëzuar. Imagjinoni çfarë paraje po mblidhet për të blerë rrëzimin e një vendimi, kaq të rëndësishëm e kaq domethënës për të mos lejuar më, jo të bëjnë apartamente e dyqane pa leje në kulla e pallate, por të mos bëjnë më asnjë shtesë në shtëpi tradicionale.” – tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, rilindja urbane ka sjellë vende pune pasi kjo gjë ka rritur investimet ndërsa e krahasoi rëndësinë e rilindjes urbane me krehjen e grave në parukeri.
“Ideja që mos u merrni me fasada se nuk kemi bukë, është dritëshkurtësi, fasadat sjellin më shumë bukë, sepse ka punësim në hallkat e atij zinxhiri. Si do vinin për Shqipëri për të hapur biznese, duke parë plehra!? Po të ishte fasada kaq gjë e parëndësishme nuk kriheshin gratë dy herë në javë. Burrat jo e jo, mbanin gjethen para e vazhdonin muhabetet, blenin bukë me gjethe, kaq të prapambetur janë. Janë të zhytur në batakun e injorancës. Janë kaq të poshtër është edhe ligësi shumë e madhe , deri në pikën që edhe luftën bërthamore mund ta ëndërrojnë vetëm për të mos parë mirë, por gjërat do të shkojnë edhe më mirë.” – shtoi Rama.