Vendosni fjalën kyçe....

Blerjet e KESH forcojnë përsëri euron, prek nivelin më të lartë në më shumë se një muaj


Prej afërsisht një jave, euro po rifiton gradualisht terren në kursin e këmbimit me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten me 117.39 lekë, duke shënuar nivelin më të lartë që prej datës 12 shtator.

Agjentët e këmbimit valutor shpjegojnë se rritja e euros gjatë ditëve të fundit i detyrohet kryesisht blerjeve të kryera nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Nevojat e vazhdueshme për të importuar energji elektrike kanë bërë që KESH të jetë një faktor me ndikim të shpeshtë në kursin e këmbimit valutor. Gjithashtu, ditën e martë Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e radhës për blerje të euros, pjesë e programit vjetor për rritjen e rezervës valutore të vendit. Megjithëse zakonisht ankandet e Bankës së Shqipërisë nuk sjellin ndonjë efekt të rëndësishëm në kursin e këmbimit, këtë javë ato përkuan me fushatën e radhës së blerjes së valutës nga KESH, duke sjellë një rritje të mëtejshme të kërkesës për euro. Madje, pjesëmarrja në ankandet e Bankës së Shqipërisë këtë herë ishte në nivele të ulëta, çka në mënyrë të tërthortë dëshmon se blerjet e KESH kanë thithur një pjesë të mirë të valutës në treg.

Pavarësisht blerjeve në sasi të madhe të KESH (vlerësohet mbi 300 milionë euro, por nuk ka një shifër të përditësuar zyrtare), kursi i euros ndaj lekut këtë vit ka pasur një tendencë në rënie, duke prekur madje edhe nivelet më të ulëta historike, me 116.32 lekë. Në mungesë të këtyre blerjeve, me shumë mundësi euro mund të kishte arritur nivele edhe më të ulëta në kursin e këmbimit me lekun.

Ekspertët besojnë se forcimi i lekut këtë vit lidhet me përmirësimin e bilancit të pagesave, por edhe me një ndikim të zakonshëm të prurjeve informale.

Bilanci i pagesave deri tani po shfaq shënon ecurinë më të mirë që prej vitit 2018. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2022 deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 469 milionë eurove, në rënie me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson balancën mes flukseve korrente hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi. Nga ana tjetër, edhe rritja e të investimeve të huaja direkte ka ndikuar pozitivisht në shtimin e flukseve valutore hyrëse në ekonomi. Investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 634 milionë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Duke u bazuar në numrin e vizitorëve të huaj, parashikohet që edhe tremujori i tretë të ketë qenë pozitiv për prurjet nga turizmi dhe për bilancin e pagesave në përgjithësi.

Deri tani, faktorët fondamentalë të kursit, përfshirë këtu edhe komponentin e informalitetit, mbështesin një lek në pozita të forta. Megjithatë, ashtu siç parashikohej, euro po shfaq periudha mbiçmimi afatshkurtër, të lidhura kryesisht me blerjet për nevojat e importit të energjisë elektrike.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al