Vendosni fjalën kyçe....

Dokumentet/ Si lidhet Mirel Mërtiri me inceneratorët


Mirel Mërtiri dhe tre inceneratorët (Foto montazh)

480 milionë euro kontrata. Këto janë minimumi i deklarimit të vlerave që kompanitë e inceneratorëve do të fitojnë nga marrëveshja me Qeverinë.

Dolën nga hiçi, siç është rasti i “AlbTech Energy”, erdhën nga askund, siç është rasti i kompanisë që lindi në Holandë, “Integrated Energy”, për të ardhur më pas në Shqipëri dhe për të na thënë se kishte një eksperiencë.

Në fakt, drejtues të kompanisë figuronin, Ernesto Granelli, Klodian Zoto, Xhuzepe Cafalione, italianët e inceneratorëve dhe vetë Klodi i matësve të ujit dhe historive skandaloze në Shqipëri, apo Stela Gugallja e kështu me radhë.

Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Giuseppe Caffaglione

Kjo e fundit lidhet tek Elbasani, Klodi del te Fieri, italiani del sërish në Fier, Granelli është ortak me Stela Gugallen, administrator del Mirel Mërtiri e kështu me radhë.

Zinxhir kompanish me dhjetëra në emër të Klodit, Mirelit që në Shqipëri lidhen tek afera e inceneratorëve. Ka pasur një Komision hetimor Parlamentar, ka një raport voluminoz të Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me inceneratorët.

Palët politike akuzojnë njëra-tjetrën

Opozita filloi të flasë pas vitit 2020, ndonjë zë i vetmuar diku në cep ka qenë, si Jorida Tabaku apo Arbër Malltezi.

Më e ashpër u bë LSI-ja, e përdori politikisht çështjen kundër ish-ministrit të saj, Lefter Koka, për t’u ndarë nga gjynahet e aferës së inceneratorëve, duke iu drejtuar kryeministrit, ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, por edhe Sekretarit të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi.

Monika Kryemadhi, ish kryetarja e LSI-së, në konferencë për inceneratorët

Në fakt, përtej akuzave politike dhe emrave politikë, historia e inceneratorëve në rast se do të quhet një skemë e mirëfilltë ka urdhërues, por ka dhe zbatues.

Urdhëruesit i akuzon politika dhe flasin për njëri-tjetrin, po kush janë zbatuesit?

Klodian Zoto është në kërkim për inceneratorin e Fierit, dhe akuzohet për aferën e atjeshme, Stela Gugallja bashkëjetuesja dhe nëna e fëmijëve të Mirel Mërtirit fshihet në Austri dhe ajo u zhduk, megjithëse nga hiçi ajo ndërtoi një kompani dhe mori 22 milionë euro koncension, të cilat iu paguan shpejt e shpejt.

Klodian Zoto dhe Stela Gugallja në kërkim (foto montazh)

Pa asnjë lek në xhep mori një kontratë koncensionare, një kredi në bankë dhe eci përpara se e pagoi qeveria shqiptare.

Por, një emër i tretë është mjaft i rëndësishëm në gjithë këtë skemë. Ai quhet Mirel Mërtiri. Dikush e ka quajtur “truri”, njeriu kryesor.

Ai lidhet me socialistët, që nga historia e famshme e “Hermes”.

Kush ka memorie duhet të kujtojë ngjarjet në AlbTelecom, përpara vitit 2005.

Më pas, Mirel Mërtiri, “rastësisht” bën një aksident në Maqedoni, në makinë ndodhet edhe miku i tij ministër i Ramës.

Vendimi i Gjykatës në Maqedoni, për aksidentin e Mirel Mërtirit

Këto janë lidhjet e pakta politike, pa folur pastaj për takimet e Mirel Mërtirit, me pronarë dhe drejtorë mediash, drejtues të “Top Channel”, apo deklarimet publike që ka bërë Ylli Rakipi.

Pa folur për marrëdhëniet me mediat dhe pagesat qindra miliona lekë, që kompanitë e inceneratorëve i kanë dhënë shtypit në Shqipëri dhe televizioneve.

CNA.al sjell më poshtë një pas një të gjitha dokumentet, që ndoshta SPAK-u si ka parë, por ne po i përsërisim dhe do t’i fusim edhe në një zarf dhe po ia nisim zyrtarisht, që t’i shohë Arben Kraja dhe prokurorët që po hetojnë inceneratorët e Tiranës, si lidhet Mirel Mërtiri me kompaninë koncensionare.

Arben Kraja, kreu i SPAK-ut

Çfarë ka ndodhur me inceneratorin e Tiranës, megjithëse atje nuk ka incenerator fare në fakt, megjithëse janë marrë dhjetëra milliona euro nga qeveria shqiptare.

Pretendohet se është dhënë një leje ndërtimi me vonesë, në fakt ka dokumente që tregojnë se ka pasur TVSH të kredituar te VIP-at, atje ku ka qenë e regjistruar kompania.

Pra, fatura të prera në ndërtim, ndërtime pa leje ndërtimi, çka rrëzon poshtë pretendimet e lejeve dhe vonesave.

Pamje nga landfilli i Sharrës që e quajne incenerator

Por, gjithsesi, le të qëndrojmë te Mirel Mërtiri për të parë një pas një të gjitha dokumentet, si lidhet kompania “ER One” me Stela Gugallen dhe Ernesto Granelin, si lidhet në emër të kompanisë “Geo Genix”, e cila në fakt ka ndryshuar emrin, sepse emri i saj i parë kur ka ardhur në Shqipëri ka qenë “Integrated Energy”, pra që është mëma e kompanisë “IEVP Integrated”, që ka marrë me koncension inceneratorin e Tiranës, landfillin e Tiranës.

Për 30 vjet 430 milionë euro kontratë me pretendimin se do të investonte 128 milionë euro. Në fakt themelohet në 2016-ën, në 2017-ën, kur ka firmosur kontratën koncensionare, nuk rezulton të ketë pasur fonde të tilla.

Gjithsesi, Mirel Mërtiri është nja nga njerëzit që shfaqet kudo tek inceneratorët, dhe këtë Arben Kraja dhe prokurorët e SPAK-ut, duhet ta shohin.

Lidhjet e tij politike, mediatike, por dhe ato direkte me kompanitë e inceneratorëve, me Klodin bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, apo dhe më bashkëjetuesen, nënën e fëmijëve. Stela Gugallja, me zyrat te kullat në Bllok.

Më poshtë po sjellim dokumentet zyrtare që vërtetojnë se Mirel Mërtiri është një nga njerëzit e lidhur dhe që flet në emër të kompanive të inceneratorëve, në Afrikë, në Lindjen e Mesme, por dhe me kompaninë në Shqipëri.

Dokumentet

CNA.al ka publikuar fakte dhe dokumente ekskluzive që tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë të Mirel Mërtirit me kompanitë, që kanë marrë koncesionin e inceneratorëve në Shqipëri.

Së pari, doli që Mirel Mërtiri ka qenë drejtor i kompanisë “Integrated Technology Services”. Kjo e fundit kompania që ka marrë koncesionin e inceneratorit të Tiranës.

Emri i Mirel Mërtirit dilte si administrator edhe në kompaninë “ER One Albania”, ku bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja është ortake me “Energy Recuperator”, e cila ka si ortakë dy shtetas italianë, Ernesto Granelli dhe Mario Granelli.

Më tej, është dokumenti i publikuar nga CNA.al, ku Mirel Mërtiri del si negociator i “Geogenix B.V”, në Zimbabve.

Një tjetër dokument, ku Mirel Mërtiri shfaqet drejtpërdrejt me firmën e tij në Irak, si përfaqësues i kompanisë “Integrated Energy B.V.”.

Sipas këtij dokumenti Mirel Mërtiri nuk është thjeshtë bashkëpunëtor, por firmos si përfaqësues i kompanisë që ka marrë koncesionin e inceneratorit të Tiranës, ku vetëm kontrata fillestare është 128 milionë euro.

Gjithashtu Mirel Mërtirit i del emri edhe në një akt noterial, për të hapur llogari apo për të transferuar para në Zvicër.

Në dokumentin e mëposhtëm të publikuar nga CNA.al, kompania “Integrated Energy B.V.” autorizon Mirel Mërtirin të transferojë paratë në Zvicër.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNA