Vendosni fjalën kyçe....

Kapet arsenal armësh në Elbasan, pranga dy personave


Foto ilustruese

Dy persona janë arrestuar në Elbasan gjatë nje operacioni ku është sekuestruar një sasi e madhe armësh e municionesh.

Në pranga kanë përfunduar 37-vjeçari Luis Gaxhi, banues në Elbasan e i dënuar më herët në Belgjike për krim në fushën e narkotikëve si dhe 37-vjeçari Rigers Spahiu.

Gjatë kontrollit në banesën e Gaxhit policia ka gjetur 4 automatikë ‘kallashnikovë’, dy prej të cilëve të pajisur me silenciatorë, 3 pistoleta me silenciatorë, 2 mina me telekomandë, kapsolla shpërthyese, një sasi lënde e dyshuar tritol, 4 celularë e një sasi e konsiderueshme municioni luftarak blindshpues.

Sipas bluve, në kohën e sekuestrimit të arsenalit luftarak, forcat xheniere kanë bërë të mundur çaktivizimin e minave me telekomandë që ishin të montuara e rrezikonin shpërthimin.

Njoftimi

“Në këtë kuadër, mbështetur dhe me inteligjencë informative të siguruar në kohë reale nga ana e strukturave të Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke koordinuar veprimet dhe hetimet me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, me qëllim parandalimin e një ngjarjeve të mundshme kriminale me pasoja të rënda për jetën, më datë 20.10.2022 është finalizuar operacioni policor i koduar “Prevention”.

Falë marrjes në kohë të informacionit, koordinimit me Prokurorinë dhe Gjykatën, si dhe veprimeve operacionale, hetimore e procedurale të autorizuara nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi, në një banesë, në lagjen “Gurabardhi”, të qytetit të Elbasanit, i një arsenali armësh zjarri, disa prej tyre të pajisura me silenciatorë, gati për veprim.

Konkretisht, në banesën e shtetasit Luis Gaxhi, u gjetën:

4 armë zjarri kallashnikovë, dy prej të cilave të modifikuara dhe me silenciatorë;

3 pistoleta me silenciatorë;

2 mina me telekomandë, të gatshme për t’u aktivizuar për shpërthim me komandim në distancë, nëpërmjet aparateve celulare;

Kapsolla detonatore;

Një sasi lënde plasëse, e dyshuar “C4”;

4 aparate celulare;

Sasi e konsiderueshme municioni luftarak, blindshpues.

Si rezulatat i hetimeve paraprake dhe dyshimeve të bazuara në prova, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-Luis Gaxhi, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë;

Ky shtetas u arrestua për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” , “Mbajtja dhe prodhimi i armëve luftarake në sasi të mëdha” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

-Rigers Spahiu, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, për veprat “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ky shtetas dyshohet si bashkëpunëtor në aktivitetin kriminal të shtetasit Luis Gaxhi.

Në momentin e gjetjes dhe sekuestrimit të provave materiale dhe veprimeve të tjera hetimore e proceduriale, skuadrat xheniere të Njësisë Antieksploziv të Repartit Special RENEA, kanë bërë të mundur çaktivizimin e minave të telekomanduara, të cilat paraqisnin rrezikshmëri për jetën e banorëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

Referuar hetimeve proaktive te kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ekzistojnë indicie të bazuara në prova, se armët dhe minat e telekomanduara do të përdoreshin për ekzekutimin e personave, për llogari të grupeve kriminale të evidentuara nga ana e Policisë.

Për arsye të dobisë së mbarëvajtjes së hetimeve dhe dokumentimit të plotë të veprimtarisë kriminale, na lejoni të jemi të rezervuar në dhënien e informacioneve të mëtejshme.

Theksoj se Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë, gjatë operacionit të koduar “Dëshiran” që u finalizua 1 javë më parë, sekuestroi një tjetër arsenal armësh zjarri: një kallashnikov, pistoletë, granata dore dhe municion luftarak, të cilat, bazuar në inteligjencë informative, dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale.

Përfitoj nga rasti të siguroj qytetarët e qarkut Elbasan, se strukturat e Policisë janë tërësisht të angazhuara dhe të përkushtuara për të parandaluar, evidentuar dhe goditur krimin dhe paligjshmëritë. Në këtë kuadër, ftoj përsëri qyetarët që të jenë akoma më bashkëpunues me Policinë, pasi vetëm së bashku mund të krijojmë një ambient sa më të sigurtë për qytetarët dhe aspak të sigurtë për elementet kriminale.”