Kryeministri Edi Rama teksa diskutonte mbi projekt-ligjin për hapjen e dosjeve ka thënë se shtysa ka qenë hapja e dosjes për shtetasin I.M për të cilin aludohet se është kreu i Partisë së Lirisë
Rama ka pyetur se pse nuk e do hapjen e dosjes Sali Berisha dhe Ilir Meta.
“Komunizmi një nga të këqijat më të mëdha e ka bërë pas vdekjes. Duke pjellë komunistë anti komunistë. Dhe jo më kot Havel thotë se më i ziu i komunistëve është komunisti anti komunist. Mu kujtua At Zef Pllumi i cili ka thënë ‘Don më dit kush ka bashkëpunu më shumë me ta, nigjo kush ulëret më shumë prej tyne’. Mjafton të marrësh ulëritësin nr. 1 që nuk do të hapen këto dosjet e mbrojtura nga SHIK dhe sa ka ulëritur si antikomunist dhe nuk e bëri edhe duke pasur 8 vite rresht. Ai lustracioni është akt barbarie që është rrëzuar kohë përpara sesa ta tentonte pjella anti komuniste e komunistit nga GJEDNJ.
Ai lustracioni është njësoj si klithmat për të mbrojtur Kosovën kur votuar raportin e Marty, ai lustracioni është fiks si kjo pamja këtu në sallë. Ku e ke Oerd ‘non grata’? Pse nuk vjen ai këtu që t’i japë rrugë hapjes së dosjeve, që janë dosje të personave me rëndësi që nuk hapen dot. Kjo është ironia e at Zef Pllumit, se ne i kemi hapur dosjet. Ka vetëm një kategori dosjesh që janë të pahapura, dosje të disa figurave të shtetit të pajisur me certifikatë sigurie që rezultojnë në dokumentet e ish-sigurimit. Dëshiron ti ta dish kush është shtetasi I.M, mbase është ai ose mbase nuk është ai.
Të çlirohemi të gjithë nëse shtetasi I.M nuk është ai që të gjithë i shkon mendja. Pse të mos e hapim. Ndërkohë që ka që në vitin 2015 që pa përjashtim të gjithë viktimat e persekutimit komunist të shkojnë të marrin dosjen e tyre. Dhe ata ka edhe një kufizim që hiqet sot, që kanë të bëjnë me deklasifikimin e dokumenteve sekrete. Pse nuk vjen këtu Partia e Liries dhe Liria e Partisë këtu? Sepse nuk e kanë dashur kurrë hapjen e dosjeve sepse kanë dashur që sa më shumë hije të vijnë vërdallë”, tha Rama.