Vendosni fjalën kyçe....

Liz Truss, kryeministrja më jetëshkurtër në historinë e Mbretërisë së Bashkuar


Edhe pse erdhi në pushtet me premtime të mëdha, kryeministrja e Britanisë së Madhe Liz Truss ka njoftuar dorëheqjen pasi ka qenë në detyrë për vetëm 45 ditë, mandati më i shkurtër i çdo kryeministri të Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri i dytë që ka qëndruar më pak në detyrë ka qenë George Canning, i cili shërbeu për 119 ditë pasi vdiq në 1827.

Problemet për Truss filluan pas një buxheti të dështuar të uljes së taksave që tronditi tregjet financiare dhe që çoi në një revoltë brenda Partisë së saj Konservatore.

Truss mundi Rishi Sunak për t’u bërë udhëheqës i Partisë Konservatore pas dorëheqjes së Boris Johnson më 7 korrik. Sunak tani është një nga favoritët për të zëvendësuar Truss, së bashku me Jeremy Hunt, një tjetër pretendente për lidership është Penny Mordaunt, Ministri i Mbrojtjes Ben Ëallace dhe ish-kryeministri Boris Johnson.

‘Minibuxheti’ i diskutueshëm

Më 23 shtator, ministri i financave të Truss, Kwasi Kwarteng, njoftoi një të ashtuquajtur “mini-buxhet” i cili filloi një periudhë të trazuar për tregjet e bonove në Mbretërinë e Bashkuar, e cila u shmang nga shkurtimet e taksave të financuara nga borxhi që ai parashtroi. Shumica e politikave u ndryshuan tre javë më vonë nga ministri i dytë i financave, Jeremy Hunt.

Dorëheqja e saj e lë të pasigurt statusin e përditësimit të buxhetit të pritshëm të konservatorëve më 31 tetor, por Truss tha se dorëzimi i lidershipit do të “siguronte që ne të mbetemi në rrugën për të realizuar planet tona fiskale”.

Duhet bërë më shumë

Paul Dales, kryeekonomist i Mbretërisë së Bashkuar në Capital Economics, tha se kryeministri i ri do të duhet të bëjë më shumë për të rifituar besimin e tregjeve financiare.

“Në vetëm pak javë politika fiskale ka ndryshuar nga të qenit ultra e lirshme, në më pak e lirshme në plotësisht të shtrënguar.” – tha ai në një shënim sipas CNBC.

“Kjo ka rritur rreziqet e rënies për parashikimin tonë se ekonomia do të hyjë në një recesion që përfshin një rënie maksimale të PBB-së prej rreth 2%, megjithëse kjo në vetvete do të thotë se ka gjithashtu një rrezik në rënie për parashikimin tonë që normat e interesit do të rriten në 5.00%”.

Si erdhi Liz Truss në pushtet?

Truss është një ish-aktiviste liberale-demokrate, e cila marshoi kundër Margaret Thatcher në vitet 1980, por që tani pretendon se është rojtare e “flakës” së ndezur nga Thatcher. Premtimi i saj për t’u kthyer në vlerat themelore konservatore, ulja e taksave dhe tkurrja e shtetit, rezultoi të ishte pikërisht ajo që donin të dëgjonin anëtarët e partisë. Dhe, më e rëndësishmja, si sekretare e jashtme ajo i qëndroi besnike zotit Johnson deri në fund edhe pasi ministrat e tjerë e braktisën atë, duke fituar pikë nga besnikët e Johnsonit.

Mbështetësit e konservatorëve bazë të Liz Truss shihnin tek ajo cilësitë e palëkundura, këmbëngulja dhe vendosmëria që ata admironin te Margaret Thatcher – një imazh që vetë zonja Truss është përpjekur ta kultivojë.

Dhe Liz Truss e fitoi garën për udhëheqjen e Partisë Konservatore duke zëvendësuar Boris Johnsonin.

Por çfarë tha ajo në fjalimin e saj të fitores? Truss tha se: “Kam bërë fushatë si konservatore dhe do të qeveris si konservatore. Miqtë e mi, ne duhet të tregojmë se do të kemi sukses gjatë dy viteve të ardhshme.”

Ajo shtonte se do të tregohet e guximshme në planin e saj për uljen e taksave.

“Unë do të jap një plan të guximshëm për të ulur taksat dhe për të rritur ekonominë tonë. Unë do të përballoj krizën e energjisë, duke u marrë me faturat e energjisë së njerëzve, por edhe duke u marrë me çështjet afatgjata që kemi për furnizimin me energji.”– tha Truss.

Madje bëri dhe premtimin e guximshëm se “Ne do të japim një fitore të madhe për Partinë Konservatore në 2024.”

Por asgjë nga këto nuk ndodhi pasi që në ditët e para në detyrë gjërat filluan të shkojnë keq.