Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka njoftuar se studentët ekselentë që pajisen me bursa studimi me vlerë sa paga minimale, do të jenë të detyruar të qëndrojnë dhe të punojnë në Shqipëri të paktën edhe tre vite pas diplomimit të tyre.
“87% e studentëve ekselentë kanë vendosur të studiojnë këtu në vendin tonë. Në bashkëpunim me universitetet po punojmë për të rritur cilësinë e arsimit të lartë dhe që Shqipëria të mos rrezikojë që shumë prej jush t’i ketë larg. Kemi ofruar bursa studimi me vlerë sa paga minimale për studentë të shkëlqyer edhe për ata studentë që kanë zgjedhur programet prioritare apo ata që kanë fituar olimpiada ndërkombëtare. Por ama kemi vendosur një kusht që pas diplomimit të vazhdoni të qëndroni këtu të punonin edhe për të paktën tre vite.”- deklaroi sot ministrja Kushi.
Ministrja e Arsimit shtoi se këtë vit ka më shumë fitues të medaljeve të arta në krahasim me një vit në parë.
“Kemi shumë më tepër fitues të medaljeve të arta. Ka një arsye pse jemi më shumë. Ne këtë vit kemi ndryshuar kriteret për ata që fitojnë medalje të artë. Deri vitin e kaluar ishte për ata maturantë që përfundonin studimet me të gjitha dhjeta. Këtë vit kemi vendosur që një nga katër provimet mund të jetë 10.00. Kemi 123 fitues. Ju jeni krenari për ne dhe model frymëzimi për shokët dhe shoqet. Për të rinjtë dhe të rejat.”– tha Kushi.