Jep dorëheqjen kryeministrja e Britanisë së Madhe Liz Truss.
Ajo ka qenë në detyrë për vetëm 45 ditë, mandati më i shkurtër i çdo kryeministri të Mbretërisë së Bashkuar. Kryeministri i dytë që ka qëndruar më pak në detyrë ka qenë George Canning, i cili shërbeu për 119 ditë pasi vdiq në 1827.
Problemet për Truss filluan pas një buxheti të dështuar të uljes së taksave që tronditi tregjet financiare dhe që çoi në një revoltë brenda Partisë së saj Konservatore.
Truss tha në një deklaratë jashtë Downing Street: “Ne përcaktuam një vizion për një ekonomi me taksa të ulëta dhe me rritje të lartë që do të përfitonte nga Brexit”.
“E pranoj, megjithatë, duke pasur parasysh situatën, nuk mund ta mbaj mandatin me të cilin jam zgjedhur nga Partia Konservatore. Prandaj i kam folur Madhërisë së Tij Mbretit për të njoftuar se po jap dorëheqjen si lidere e Partisë Konservatore”.- shtoi ajo sipas The Guardian.
Dorëheqja e saj vjen pas një takimi me Graham Brady, politikanin konservator që është përgjegjës për votat dhe riorganizimet e lidershipit.
Partitë e opozitës Laburiste, Partia Kombëtare Skoceze dhe Liberal Demokratët bënë thirrje për zgjedhje të menjëhershme të përgjithshme të enjten pasdite. Udhëheqësi i laburistëve Keir Starmer tha: “Partia Konservatore ka treguar se nuk ka më një mandat për të qeverisur”.