Vendosni fjalën kyçe....

Pedagogët protestë kombëtare, thirrje qeverisë t’u plotësojë kërkesat: Durimit i ka ardhur fundi


Ashtu siç ishte njoftuar prej ditësh, pedagogët po zhvillojnë sot protestën mbarëkombëtare.

Ajo ka nisur në orën 11:00 para Universitetit Politeknik në ditën e katërt të bojkotit të vitit të ri akademik që nisi këtë të hënë.

Pedagogët kanë deklaruar se durimit të tyre i ka ardhur fundi dhe se qeveria duhet të ulet e të plotësojë kërkesat e tyre që do rrisnin nivelin e arsimit të lartë ne vend e vlerësimin për punën e tyre.

Gjatë protestës një prej protestuesve pohoi se gjysmën e pagës e shpenzon për literaturë ndërsa ironizoi kreun e qeverisë lidhur me deklaratat e tij për pagën e pedagogëve.

“Nëse flasim për meritën, unë mendoj se puna juaj lë shumë për të dëshiruar sa i përket ministrave të emëruar me plagjiaturë. Mos vallë keni parasysh ministra të kabinetit tuaj kur thoni se pedagogët nuk e meritojnë rrogën?” – tha pedagogu i Arteve Harri Aleksi.

Ndërsa një tjetër pedagog i bëri thirrje kryeministrit Rama që të plotësojë kërkesat e tyre duke i kujtuar mbështetjen që u dha në vitin 2004 kur pedagogët protestonin.

“Nuk kemi më kohë, durimit i ka ardhur fundi. Jetës sonë universitare po i bëhet gjëma dita-ditës. Ndaj jemi mbledhur sot këtu për t’i dhënë shpresë jetës sonë akademike. Shpresa nis me rritjen e financimit. Me tërheqjen mbrapsht ë rritjes 8%. Shpresa nis kur të kemi autonomi universitare dhe jo qeveritare. Dua të theksoj se greva e 2004 u mbështet nga kryeministri i sotëm, por u tregua burrë një kryeministër tjetër duke dyfishuar pagat. Ndërsa sot nuk e mbështet protestën, dhe i bëj thirrje që të bëjë një çerek burri për të plotësuar kërkesa tona minimale.” – tha ai.