Stafi akademik i universiteteve publike në vend ka vendosur të vijojë bojkotin mësimor pa afat. Ky është vendimi i marrë në protestën e sotme.
Pedagogu Ardian Isufi e mbylli protestën e sotme kombëtare duke thënë se bojkoti do të vijojë dhe u bëri thirrje edhe studentëve që të bashkohen.
“Shumë shkurt do ju informoj për vendimin e Sindikatave të punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, që kanë vendosur: ‘Çdo ditë bojkot’.
I themi kryeministrit, qeverisë shqiptare, ministres së Arsimit që të marrin në konsideratë 9 pikat, që në ditët në vazhdim padyshim duket qartazi që do shtohen. Gjithashtu, ju informoj që çdo ditë bojkoti total vazhdon tek sheshi ku jemi, pra para UBT-së dhe ftohen të gjithë universitetet në rang kombëtar. Edhe universitetet e rretheve janë të ftuara ose në shesh, ose në universitetet e tyre përkatëse.
Gjithashtu, të mblidhen asambletë e Universiteteve dhe fakulteteve, duke iu rikujtuar dekanateve të mbledhin sa më shpejt asambletë e tyre sepse është shumë e rëndësishme jo vetëm solidarizimi që është tashmë i pedagogëve, por edhe një analizë e thelluar për shqetësimet që ata kanë në auditor që nuk lidhen vetëm me financimet, por me shumë çështje.
Së fundmi kemi një kërkesë për këshillat studentorë, që ftohen të bëjnë mbledhjet e tyre përkatëse, jo vetëm në solidarizim të çështjes dhe kauzës sonë, por që të sjellin gjithashtu edhe ata opinionin e tyre, shqetësimet e tyre, listën e çështjeve të tyre që ne duhet patjetër t’i referojmë para gjithë publikut shqiptarë. Faleminderit, shihemi në protestën e nesërme.”– tha Isufi.
Përveç pedagogëve në protestë kishte të pranishëm edhe studentë. Mes tyre, studenti Arber Kola e quajti kryeministrin Edi Rama “frikacaku më i madh”, pasi sipas tij ai fshihet pas çdo proteste dhe revolte popullore. Studenti i kujtoi Ramës paktin e vitit 2018 dhe premtimet që sipas tij s’janë mbajtur.
“Dua të të kujtoj zoti kryeministër se studentët kërkuan nga ju një rimbursim prej 100 eurosh, aq sa e ka Kosova. Çfarë do bësh zoti kryeministër, do na vësh veting edhe ne? Më lejo të të kujtoj që në vitin 2018 t’i na premtove një pakt, ku janë premtimet e tua zoti kryeministër? Kujtohu pak zoti kryeministër a do të vendosësh vetting për miqtë e tu politikanë? Ti je frikacaku më i madh këtu. Ti fshihesh pas çdo revolte që ndodh. Mos prit shuplakën e dytë të studentëve zoti kryeministër, sepse ajo shuplakë mund të bëhet grusht.”- u shpreh Kola.