Vendosni fjalën kyçe....

Pedagogu i UBT-së: Bëjeni Vettingun kryeministër, as 10 lekë s’i kemi marrë shtetit


Vijon sot për të katërtën ditë protesta e pedagogëve, që nga nisja e vitit të ri akademik.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi para Korpusit Universitar u bëri thirrje rektorëve që të mbështesin protestën e tyre dhe të thërrasin Konferencën e Rektorëve. Pasi sipas tij kjo është shpresa e fundit për të bërë një ndryshim.

 “I bëj thirrje rektorëve të universiteteve publike, kishte përmirësim herën e fundit në diskutime, por mbani qëndrim për këtë protestë. Ky është shansi i fundit për të bërë një ndryshim në arsim. Mblidhni konferencën e Rektorëve, mbani qëndrim. Dikur është mbajtur. Në të kundër do e mbani arsimin në gjendje kënetore, dhe të na iknin me gomone studentët. Reklama e studentëve nga Bangaladeshi nuk shkon. Të mbështesim studentët tanë dhe jo të mësojmë gjuhën e Bangladeshit.”– tha Kovaçi.

Pedagogu i njohur i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Lush Susaj në fjalën e tij u shpreh “të duam Shqipërinë më shumë se partinë”. Ai iu drejtua kryeministrit Edi Rama duke i thënë që ta bëjë Vettingun e pedagogëve po të dojë, pasi ata as 100 lekë nuk i kanë marrë shtetit.

“Protestojmë dhe kemi dalë në një protestë, për të kthyer këtë rritje page në më shumë kohë për studentët e Shqipërisë. Që mos të kenë nevojë që të ikin nga vendi, sikur të jemi në një luftë civile. Ti bashkohemi kësaj proteste të bukur, për t’i kthyer faqen e bardhë Shqipërisë. Rilindasit patën shkruar që; ti duam shqiptarët më shumë se partitë. Dhe ne duam më shumë shqiptarët se partitë. Mos u merrni me jetët tona, pasi ne vijmë nga familje që i kanë dhënë shumë Shqipërisë. Zoti Kryeministër, të gjitha mediave, agjencive ligjzbatues, e bëni vettingun, botojeni dhe publikojeni, por ne jemi me njerëz me duar të pastra. Asnjë qind lekë të vjetra si kemi marrë kujt, as shtetit shqiptar. Ndaj jemi këtu dhe s’do të tërhiqemi nga kërkesat tona.”– tha ai.