Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e dhënies së medaljeve arit për nxënësit ekselentë njoftoi ndërprerjen e bursave për ata që duan të studiojnë jashtë vendit.
Ai tha se do mbështeten nga shteti nxënësit që vijojnë studimet në Shqipëri. Masa financiare për ekselentët do jetë sa rroga minimale.
Madje për ata që mbarojnë mjekësinë Kryeministri tha se do i shtojë një detyrim që pasi të mbarojnë universitetin nuk do e marrin diplomën pa punuar 3 vite në Shqipëri.
“E kuptoj që të studiosh në ato universitete, më të mira të botës do të thotë që të hysh, me garancinë se kur del do të vijnë të të kërkojnë kompani dhe studio prestigjioze avokatie dhe sisteme të tjera duke të ofruar punë. Se kështu është kur je në majë. Por, të firmosësh një marrëveshjeje me shtetin tënd për ti marrë para nga taksat, një numri të madh prindërish dhe të thuash që do shkoj të studioj dhe do kthehem, dhe jo vetëm të mos kthehesh por as mos të kujtohesh të bësh një letër dhe të vihesh në dispozicion, duke thënë e kam të pamundur të kthehem, se më mori Jobs në punë, por jam në dispozicion, kjo është shumë e tepërt dhe boll. Ne nuk do financojmë studime jashtë, por do financojmë ufot këtu, ata si ju, apo të tjerë me të gjitha kriteret dhe do vejmë financim të konsiderueshëm, jo duke dhënë një bursë, por pagë minimale, për çdo student që është i këtij niveli. Tek mjekësia, tek degët prioritare do fokusohemi, dhe nga 20, do financojmë nga 200-400. Duke parë edhe mesataren që ka qenë, do japim pagë për çdo njërin, por ata që futen në sistem s’do marrin diplomë para tre vjetësh, që do të thotë je mjek, do punosh tyre vite këtu, pastaj do marrësh edhe diplomën dhe je i lirë të shkosh jashtë”, tha Rama.