Vendosni fjalën kyçe....

“S’mund të dilni në foltore për hallet e biznesit personal” – Shehaj debaton me Felajn: Jeni të pafytyrë, ajo foltore ishte shkaku pse u sulmova


Në seancën e sotme plenare në Kuvend ka patur debate të forta. Kjo pasi akuzave të ngritura nga deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ndaj kryeministrit Edi Rama, se ky i fundit i ka dërguar policinë në biznesin e tij për ta intimiduar.

Por denoncimi i Shehajt u kritikua nga drejtuesja e seancës Ermonela Felaj, e cila tha se deputetët s’mund të dalin në foltore për të ndarë shetësimet e bizneseve të tyre personale.

Faleminderit z.Shehaj, në respekt të Kodit të sjelljes së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, do më duhet t’ju kujtoj se pjesë e fjalës suaj ju vuri në konflikt interesi sepse detyrimi i të gjithëve ne është që të flasim për shqetësimet e zgjedhësve dhe jo t’ju referohemi shqetësimeve të bizneseve tona private. Kodi i sjelljes e përcakton qartësisht këtë gjë, unë ju tërheq vëmendjen për këtë pjesë sepse natyrisht zbatimi i rregullave që përmban Kodi i Sjelljes nuk janë diskrecionale, nuk janë të tilla. Salla e Kuvendit, debati parlamentar, debati publik nuk mund të përdoret për të adresuar shqetësime të tilla si z.Shehaj vetë e pranoi se ku mund të trajtohen. Aty ku i trajtojnë të gjithë qytetarët. Pra nuk desha të hy në asnjë koment për fjalën por për këtë gjë partjetër drejtuesi i seancës ka për detyrim që të sigurojë respektimin e Kodit të sjelljes.”– tha Felaj.

Shehaj iu kundërpërgjigj duke shpjeguar edhe një herë arsyet se përse foli për këtë çështje nga foltorja, duke u shprehur se kanë qenë denoncimet e tij nga foltorja që e kanë çuar Ramën të ndërmarrë këto masa.

“Nuk ishte e lehtë për mua që të vendosja që të flisja për këtë çështje. Por ajo që bën përshtypje në këtë sallë është që jo vetëm kjo maxhorancë është thellësisht e korruptuar, por është edhe e pafytyrë. Arsyeja pse unë fola nga foltorja ishte sepse ajo foltore ka shkaktuar reagimin e Edi Ramës. Për arsye të atyre gjërave që kam thënë dhe kam denoncuar nga ajo foltore Edi Rama ka mbyllur, ka dërguar Policinë në ambientet e biznesit tim, për të më intimiduar, për të më mbyllur gojën. Ju mund të më tërhiqni vëmendjen sa herë të doni, unë çdo herë që do vete tek ajo foltore do them atë që unë mendoj se duhet thënë. Çfarëdo lloj gjëje qoftë ajo. Si kur vidhni, sikur shpallni veten tuaj investitor strategjik dhe sikur sulmoni anëtarët e opozitës.”- tha Shehaj.

Felaj më pas i kujtoi Shehajt se fjalën e kishte marrë për procedurë dhe kjo nuk ishte për procedurë: ”Vetëm se në rastin kur kërkoni fjalën për procedurë të flisni për procedurë, sepse besoj që e keni shumë të qartë diferencën.”